Google ADS

Zbulohet një tjetër mashtrim i madh i Vuçiqit – çfarë fshihet pas një tjetër “kërcënimi” se do të tërhiqet nga politika

14:22 | 16 Gusht 2024
KRG

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas mediave që i kontrollon, ka paralajmëruar një tërheqje të re nga politika.

Politologu Aleksandar Ivkoviq i kujtoi të parit të shtetit serb se të njëjtën gjë e kishte paralajmëruar edhe më parë, shkruan nova.rs.

Në mediat pro-regjimit, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, thuhet se “krejtësisht vet po e përballon rastin me Rio Tinton” dhe si dikush që “pret një konflikt me Qeverinë e Serbisë lidhur me projektin Jadar”. Sipas shkrimeve të po atyre mediave, ai i ka kërcënuar bashkëpunëtorëve me “tërheqje nga politika”.

Politologu Aleksandar Ivkoviq ka publikuar reagimin ndaj kërcënimeve për tërheqje në platformën X, së bashku me një fotografi të deklaratave të Vuçiqit të vitit të kaluar, në një situatë tjetër, në të cilën ai ka folur pothuajse në mënyrë identike. Gjegjësisht, në atë kohë ka pasur edhe një “konflikt” mes Vuçiqit dhe zyrtarëve më të lartë të Partisë Progresive Serbe (SNS), lidhur me marrëveshjen Bruksel-Ohër, dhe më pas presidenti kërcënoi se do të tërhiqej në të njëjtën mënyrë – “nëse nuk e përkrahni. Unë do të tërhiqem dhe ju do të kaloni shumë keq në zgjedhje pa mua”.

Qeveria e Serbisë është e gatshme të anulojë projektin Jadar, por nuk dëshiron një konflikt të hapur me presidentin. Vuçiq po e pret atë konflikt në mënyrë që ta shpallë largimin nga politika pas përfundimit të mandatit presidencial në fund të vitit 2026, u raportua në disa media të regjimit.

Teksti jep detaje nga takimi i supozuar i autoriteteve, si dhe përmban disa citime të supozuara nga Vuçiq.

“Numëroni sa prej jush jeni në det! A mendoni se do të zgjidhni problemet nga thellësia e ujit? – pyeti Vuçiq… ju anuloni projektin, kjo është e drejta juaj, unë nuk do t’ju pengoj, nuk do t’ju pengoj as në zgjedhjet e vitit 2027. Vetëm mos kërkoni nga unë të jem pjesë e tufës që përsërit marrëzi çdo ditë” u tha Vuçiq zyrtarëve të partisë, sipas raportimeve.

Dy përfaqësues të Qeverisë kanë thënë se kishin pozita të rehatshme dhe të sigurta, të cilat tani i kanë rrezikuar pa nevojë me projektin “Jadar”, që nuk ka mbështetje nga askush në Serbi.

“Kur i kam ulur pagat dhe pensionet, a e ka mbështetur dikush atë masë, ndërsa ato reforma na kanë mundësuar të jemi vendi me rritjen më të shpejtë të ekonomisë. Më vjen keq që nuk po shikoni drejt së ardhmes, dhe përveç marrëzive të pakuptimta, nuk kam dëgjuar asnjë argument të arsyeshëm kundër Jadarit”, thuhet se ka thënë Vuçiq.

Ndryshe, presidenti serb kujtojmë se u kishte thënë bashkëpunëtorëve të tij se është gati të pensionohet në vitin 2023, kur dyshohet se u largua nga selia e SNS-it në Beogradin e Ri pas një fjalimi emocional ndaj bashkëpunëtorëve të tij.

Në vitin 2004, Vuçiq për herë të parë kishte paralajmëruar tërheqjen nga politika, në rast se do të mposhtej nga kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet për kryetar të Beogradit. Një vit më vonë, në një duel televiziv me Dragan Gjilas, ai shpjegoi se, pavarësisht humbjes së tij, ai nuk e mbajti premtimin vetëm për hir të “interesit të përgjithshëm”.

Ai njoftoi tërheqjen e re nga politika në vitin 2008, në kohën e ndarjes me Partinë Radikale.

Në fillim të vitit 2017, ai tha se humbja e kandidatit të SNS në zgjedhjet presidenciale do të rezultonte me dorëheqjen e tij si kreu i qeverisë. Mirëpo, për të mos rrezikuar, ai e largoi Tomislav Nikoliqin nga gara presidenciale dhe kandidoi vetë. Në fund të të njëjtit vit, ai i tha gazetës Bloomberg se është i sigurt 99 për qind se nuk do të kandidojë për herë të dytë për president, por më vonë – ai 1 për qind mposhti 99-shin.

Ai deklaroi edhe në vitin 2018 se do të qëndronte në krye të partisë “maksimumi një vit”. Pas njoftimeve të shumta se ai do të hiqej nga posti kryesor i partisë, vetëm në vitin 2023 Millosh Vuçeviq u zgjodh president i ri i Partisë Progresive Serbe me propozimin e tij. /Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme