Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ai dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping zhvilluan një bisedë telefonike “të gjatë dhe kuptimplotë” të mërkurën, kontakti i tyre i parë i njohur që kur Rusia filloi sulmin ndaj Ukrainës më shumë se një vit më parë.
Telefonata, për të cilën zyrtarët thanë se zgjati gati një orë, u pa si një zhvillim domethënës në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit. Kjo vjen dy muaj pasi Pekini, i cili ka qenë prej kohësh i lidhur me Rusinë, tha se dëshironte të vepronte si ndërmjetës në konflikt dhe pasi zoti Xi vizitoi Moskën muajin e kaluar.
Telefonata bëhet gjithashtu në një kohë kur Ukraina po përgatit forcat e saj për një kundërofensivë të mundshme pranverore.
“Unë besoj se kjo telefonatë, si dhe emërimi i ambasadorit të Ukrainës në Kinë, do t’i japin një shtysë të fuqishme zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe”, thuhet në një postim të zotit Zelenskyy në Facebook pa dhënë detaje të mëtejshme. Zyra e tij tha se më shumë detaje të bisedës mes udhëheqësve të Kinës dhe Ukrainës do të publikohen më vonë.
Në Kinë, telefonata u njoftua nga mediat shtetërore. Televizioni Qendror i Kinës tha se Pekini synon të dërgojë një diplomat në Kiev për të diskutuar mbi gjetjen e “një zgjidhjeje politike” për luftën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, përgëzoi qasjen e Kinës, por ishte e ashpër ndaj qëndrimit të Ukrainës. Ajo vlerësoi “gatishmërinë e Pekinit për të filluar një proces negociatash (paqësore), ndërsa kritikoi atë që ajo e quajti “refuzim të Kievit ndaj çdo iniciative të mirë që synon gjetjen e një zgjidhjeje”.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë e mirëpriti telefonatën midis presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit të Ukrainës Volodomyr Zelenskiy, por tha se ishte shumë herët për të thënë nëse kjo do të çonte në një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës.
John Kirby, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, u tha gazetarëve se telefonata ishte “diçka pozitive”, por shtoi se “ne ende nuk e dimë” nëse kjo bisedë do të rezultojë në një lëvizje kuptimplotë drejt paqes.
Bisedimet mes dy udhëheqësve ishin parashikuar për javë të tëra, pasi Kina paraqiti një propozim prej 12 pikash për t’u dhënë fund luftimeve. Për Kinën, telefonata ishte një hap tjetër drejt një përfshirjeje më të madhe në zgjidhjen e konfliktit.
Propozimi i paqes erdhi pas njoftimit të Kinës se ajo do të dëshironte të vepronte si ndërmjetëse në luftën që ka rigjallëruar aleancat perëndimore që konsiderohen nga Pekini dhe Moska si rivale.
Me këtë hap, qeveria e Preisdentit Xi përforcoi pretendimin se Kina mban një qëndrim neutral ndaj luftës në Ukrainë, pavarësisht bllokimit të përpjekjeve në OKB për të dënuar agresionin rus.
Ndërsa Zelenskyy e ka afruar vendin e tij më pranë NATO-s dhe u është lutur me sukses anëtarëve të aleancës që t’i dërgojnë Ukrainës armë të sofistikuara për të ndihmuar në mposhtjen e Rusisë, Pekini ka akuzuar Perëndimin për provokim të konfliktit dhe “nxitjen e luftimeve” duke i ofruar Kievit armë mbrojtëse./voa
Sot mbahet gjykimi ndaj “Kobrës” dhe të tjerëve
Kurti dhe Vitia sot do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Fami...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...