Damon Wilson nga National Endowment for Democracy, tha në një intervistë se ende ka punë të papërfunduar për jetësimin e reformave që sigurojnë se Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e botës së lirë dhe institucioneve demokratike.
“Nëse mendoni se ku ishin Franca dhe Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore dhe e krahasoni konfliktin ballkanik, atëherë e shihni se, dakord, kemi paqe, por kjo nuk është e mjaftueshme për aspiratat dhe kërkesat e qytetarëve. Ju shihni se fshatrat po zbrazen sepse nuk ka mundësi ekonomike. Ju shihni mediat e pavarura duke u shtypur në disa vende. Ju e shihni ndikimin rus dhe kinez në rritje. Kjo nuk është e ardhmja për këtë rajon dhe i shoh njerëzit që kërkojnë më shumë”, tha ai.
Zoti Wilson shpreson për një angazhim më konstruktiv transatlantik në Ballkanin Perëndimor, ndërsa vuri theksin tek reformat në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, të cilat u ndeshën më pas më bllokadë në Bashkimin Evropian, ndërsa prisnin fillimin e negociatave për anëtarësim.
Ai vlerësoi emërimet e reja të diplomatëve amerikanë në rajon, por tërhoqi vërejtjen se me problemet në botë, Ballkani nuk mund të jetë përparësi e Uashingtonit, prandaj duhet punë e përbashkët me Bashkimin Evropian në rajon.
Wilson tha se nuk ka dyshim që Serbia është më afër Brukselit sesa Moskës, “por jo gjithmonë e ndjek këtë rrugë. Mendoj se presidenti (Aleksandër) Vuçiç e di se ku qëndron e ardhmja e Serbisë. E kam dëgjuar ta thotë këtë publikisht dhe prandaj quhet rreshtim. Dhe çështja është se si e harmonizoni pikëpamjen me një strategji që jep rezultate? Nëse keni një vizion që përfundimisht vendi juaj do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ka gjëra që rrjedhin nga ky vizion. Çfarë do të thotë kjo për demokracinë tuaj? Si i trajtoni gazetarët dhe shoqërinë civile, vendin tuaj, marrëdhëniet dhe politikën e jashtme që ndiqni në përputhje me demokracitë e tjera të Bashkimit Evropian? Dhe mendoj disa nuk e kuptojnë gjithmonë saktësisht qasjen e Beogradit”, tha zoti Wilson duke theksuar shqetësimet për peizazhin e medias në Serbi.
Presidenti Vuçiç, tha ai, e di se çështja e pazgjidhur e Kosovës do të vazhdojë ta mbajë Serbinë prapa. Në fund të fundit, tha ai, “pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e historisë së integrimit evropian. Është pjesë e historisë së demokracive që pranojnë të kaluarën dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre”.
Duke folur për situatën në Malin e Zi, zoti Wilson, tha se është i shqetësuar me zërat në koalicionin qeverisës që shohin më shumë nga Moska sesa nga Brukseli dhe e shohin të ardhmen nëpërmjet këndvështrimit nacionalist në vend se nëpërmjet reformës dhe vullnetit të lirë demokratik.
“Populli malazez sapo ka festuar një ndryshim elektoral, një ndryshim në pushtet. Kjo qeveri është produkt i këtij ndryshimi. Çfarë ironie do të ishte nëse anëtarët e kësaj qeverie ose nëse anëtarët e koalicionit do të aspironin modelin e sjelljes autoritare të Kremlinit”, tha zoti Wilson.
Ai u shpreh ndërkaq shumë i brengosur me zhvillimet në Bosnjë. “Jam jam vërtet i shqetësuar për atë që ka qenë një trumbetim i vazhdueshëm i një tendence autoritare korruptive të ndërtuar mbi shtyllën kurrizore të retorikës secesioniste e nacionaliste me një flirt me Moskën”, tha ai, duke ju referuar veprimeve të udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.
Ai tha se sfida përcaktuese aktualisht është nëse demokracia apo autokracia janë ofertë me e mirë ne në mbarë botën. “Ne kemi parë një sfidë të vërtetë ndaj demokracisë dhe lirisë, të udhëhequr nga një ringjallje e autoritarizmit që është nxitur nga ngritja e Pekinit dhe qasja agresive e Moskës”, tha zoti Wilson./Zëri i Amerikës/
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist