“Willkommen in Deutschland”, Merkel kërkon punëtorë profesional jashtë BE-së

08:25 | 18 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Një numër i madh i qytetarëve të Ballkanit perëndimor mes tyre edhe nga Maqedonia, po e presin ligjin e ri, i cili do të lehtësojë marrjen e vizës për punë në Gjermani.

Qeveria e kancelares Angela Merkel ka diskutuar me sektorin e biznesit dhe të sindikatave për tërheqjen e punëtorëve profesional jashtë Bashkimit Evropian.

Merkel një ditë më parë deklaroi se Gjermania do të duhet t’ua lehtësojë punëtorëve të kualifikuar marrjen e vizave për të filluar sa më shpejtë në vendet e reja të punës.

“Nuk jemi ne të vetmit që kërkojmë punëtorë të kualifikuar në botë. Në këtë fushë ka një konkurrencë të madhe”, u shpreh Angela Merkel.

Legjislacioni mbështetës për tërheqjen e punëtorëve të kualifikuar do të hyjë në fuqi më 1 Mars. Me këtë do t’ua bëjë më të lehtë shtetasve jashtë BE-së të marrin viza për të punuar dhe për të kërkuar punë në Gjermani.

Për t’i shmangur pritjeve të gjata, aplikimet për vizë kryhen online. Aplikantët mund të rezervojnë nga shtëpia orarin e dëshiruar duke marrë konfirmimin në postën elektronike. Njoftimi bëhet i ditur ne faqen zyrtare te Ambasadës Gjermane në Shkup.

Destinacioni më i shpeshtë i qytetarëve nga Maqedonisë është Gjermania. Kjo për shkak se ky vend u ofron mundësi pune. Sipas të dhënave nga Enti i Statistikave në vitin 2018, në këtë vend evropian, fatin e kanë kërkuar 18.478 qytetarë ndërsa 7.812 nuk janë kthyer në shtëpi.

Analizat e Institutit Epic kanë treguar se qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë duke u larguar masivisht në vendet e Evropës. Rreth 3 milion njerëz kanë hyrë në disa nga shtetet e BE-së në 10 vitet e fundit, sipas analizës më të fundit nga Instituti Epic.

“Të dhënat e Maqedonisë tregojnë se nga viti 2008 deri në 2018, 258.020 qytetarë janë larguar nga vendi. Dalja e parë serioze është regjistruar në vitin 2015 kur rreth 27.500 njerëz u larguan nga vendi. Rekordi u vendos vitin e kaluar kur 33.337 qytetarë u larguan drejt BE-së”, thonë nga Instituti Epic.

Gjermania kryesisht ka më shumë nevojë për profesionistë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe për infermieri, në sektorin hekurudhorë ku sipas të dhënave të fundit, në tre vitet e ardhshme kompanitë do të zëvendësojnë rreth 100 mijë punëtorë që dalin në pension. Pagat në këtë sektor shkojnë nga 34 deri në 52 mijë euro në vit, në varësi të pozitës dhe përvojës së punëtorëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme