Washington Post kritikon narrativën e re saudite për Khashoggin

13:09 | 16 Nëntor 2018
Arbresh.info

Gazeta Washington Post e quajti “tronditës guximin” në narrativën e fundit të Arabisë Saudite mbi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Më herët, mbretëria saudite tha se Khashoggi u vra në një operacion me paramendim dhe më vonë pranoi se është vrarë pasi ka hyrë në Konsullatën Saudite në Stamboll nga një ekip që u dërgua për ta kthyer atë në Arabinë Saudite.

Kryeprokuroria e Arabisë Saudite tha dje se 11 të dyshuar janë akuzuar dhe se për pesë prej tyre është kërkuar dënim me vdekje.

Zyra e prokurorisë e distancoi princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman nga vrasja, si dhe dy ndihmësit e tij, që thuhet se kishin urdhëruar operacionin.

Në një deklaratë, prokurori i përgjithshëm Shalaan al-Shalaan tha se një operacion ishte urdhëruar ose për ta bindur, ose për ta detyruar Khashoggin të kthehej në Arabinë Saudite.

Ahmed al-Assiri, ish-nënkryetar i shërbimit sekret saudit, ka dhënë ​​urdhër për kthimin e Khashoggit më 29 Shtator, një ditë pas vizitës së parë të gazetarit në ndërtesën e konsullatës.

Sipas prokurorit saudit, ishte Al-Assiri ai që ka formuar një ekip prej 15 anëtarësh, Ai ka kontaktuar një ekspert të forenzikës për t’u bashkuar me të për të eliminuar provat nga vendi i ngjarjes në rast të nevojës së përdorimit të forcës.

“Pas mbikqyrjes së konsullatës, kreu i ekipit arriti në përfundimin se nuk do të ishte e mundur të transferonte viktimën me forcë … kështu që kreu i ekipit vendosi për vrasje”, tha prokurori saudit.

“Duke ofruar këtë shpjegim të pabesueshëm, regjimi saudit kundërshton të gjithë ata që kërkuan zbardhje të plotë dhe llogaridhënie, duke përfshirë anëtarët kryesorë të Kongresit (të SHBA-së)”, ka shkruar bordi redaktues i Washington Post.

Washingtoni dje vendosi sanksione ndaj 17 individëve në lidhje me vrasjen, por gazeta tha se as princi i kurorës, as zyrtarët kryesorë të inteligjencës së Rijadit nuk gjenden në mesin e tyre.

Washington Post theksoi se shpjegim i ri saudit zbulon se operacioni ishte urdhëruar nga zëvendësshefi i inteligjencës Ahmed al-Assiri dhe këshilluar nga Saud al-Kahtani, një propagandist i gjykatës, për të cilin tha se është i afërt me princin bin Salman.

Sipas gazetës, Rijadi nuk deklaroi se dy ndihmësit ishin pjesëmarrës në vendimin për të vrarë Khashoggi, por tha se ata janë mashtruar mashtruar nga pohimi i ekipit të tyre se gazetari ishte larguar nga konsullata i gjallë.

“Kjo nuk shpjegon një pjesë të audio-regjistrimit të raportuar nga New York Times, në të cilën Maher Mutreb, bashkëpunëtor i ngushtë i princit të kurorës, udhëzon një zyrtar duke telefonuar t’i thotë “shefit tuaj” se misioni është kryer”, shkroi Washington Post.

Zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se “shefi” është “pothuajse me siguri princi Mohammed”.

Gazeta gjithashtu i kërkoi Kongresit të mos lejojë që “ky shtrembërim” të vazhdojë.

“Ai duhet të pezullojë të gjitha shitjet ushtarake dhe bashkëpunimin me Arabinë Saudite derisa të përfundojë një hetim i besueshëm ndërkombëtar për vrasjen Khashoggit”, tha Post.

Narrativa që mbulon rastin, shtoi ajo, është vetëm një “shembull tjetër i sjelljes arrogante dhe të pamatur të Mohammed bin Salman”.

“Vrasësit e vërtetë të Jamal Khashoggit duhet të emërohen dhe ndëshkohen”, tha bordi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme