Google ADS

Vuçiq pret marrëveshje për avionët luftarakë gjatë vizitës së Macronit

15:02 | 28 Gusht 2024
E.K

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pret që të nënshkruajë marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë gjatë vizitës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Beograd gjatë kësaj jave.

“Është një kontratë e madhe për vendin tonë dhe nuk është kontratë e vogël as për Francën”, tha Vuçiq gjatë një interviste për agjencinë AFP.

Marrëveshja për blerjen e avionëve francezë, Rafale, pritet të jetë multimiliardëshe.

Macron do të qëndrojë në vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht.Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, veçmas në fushën e ekonomisë.

Në shkurt të vitit 2023, Vuçiq u tha gazetarëve se blerja e avionëve Rafale do të jetë blerja më e madhe nga buxheti i ushtrisë serbe, “në një vlerë prej 3 miliardë eurosh”.

Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve gjatë vizitës në Serbi, kishte konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.

I pyetur për statusin e kontratës për shitjen e avionëve francezë te Serbia, Macron deklaroi se ai do ta vizitojë Serbinë në javët apo muajt në vijim “për të finalizuar negociatat që janë subjekt i negociatave teknike, financiare dhe politike mes dy shteteve”.

Një tjetër çështje tjetër për të cilën Macron dhe Vuçiq do të bisedojnë do të jetë edhe Kosova. Gjatë një bisede telefonike të realizuar në mesin e qershorit, Vuçiq i tha Macronit se është e rëndësishme që çështja e zgjidhjes të mosmarrëveshjeve me Kosovën të mbetet lartë në agjendën e Bashkimit Evropian, teksa i kërkoi mbështetje udhëheqësit francez për këtë çështje./rel

Të ngjashme