Google ADS

Vritet një gazetar gjatë një granatimi nga Izraeli në kufi me Libanin

19:41 | 13 Tetor 2023
KRG

Gjatë një granatimi izraelit përgjatë kufirit në jug të Libanit, është vrarë një gazetar dhe janë plagosur gjashtë të tjerë.

Fotografi i Associated Press ka qenë në vendin e ngjarjes, ku kishte një numër të gazetarëve ndërkombëtarë. Ai tha se pa trupin e gazetarit të vrarë dhe gjashtë të tjerëve të plagosur, dhe sipas fotografit, disa prej tyre u dërguan në spital me autoambulanca.

Televizioni i Katarit, al-Jazeeram tha se dy prej punonjësve të tij, Elie Brakhya dhe Carmen Joukhadar, janë në mesin e të plagosurve.

Granatimi ndodhi gjatë një shkëmbimi zjarri përgjatë kufirit mes Libanit dhe Izraelit, përkatësisht mes trupave izraelite dhe anëtarëve të grupit militantë libanez të Hezbollahut.

Në kufirin mes Izraelit dhe Libanit që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, ka pasur incidente sporadike të dhunshme.

Gazetarët nga e mbarë bota kanë shkuar në Liban, pas shqetësimeve se lufta mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit, mund të zgjerohet edhe me përfshirjen e Hezbollahut.

Pas nisjes së sulmeve masive të Hamasit ndaj Izraelit, edhe Hezbollahu kreu sulme ajrore ndaj Izraelit. Ky i fundit është kundërpërgjigjur menjëherë ndaj Hezbollahut përmes sulmeve ajrore më 8 tetor, teksa po vazhdon përgjigjen e ashpër edhe ndaj militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës./REL/

Të ngjashme