Vriten tre sulmuesit e hotelit me pesë yje në Pakistan

08:57 | 12 Maj 2019
Arbresh.info

Zyrtarët pakistanezë kanë njoftuar se forcat e sigurisë së këtij vendi i kanë vrarë tre sulmuesit e hotelit me pesë yje në provincën e Baloqistanit. Raportohet se sulmuesit e kanë vrarë të paktën një roje të hotelit.

Sulmi në hotelin “Zaver Pearl-Continental Hotel” që ndodhet në qytetin bregdetar të Gwadarit ka zgjatur disa orë. Një zëdhënës i hotelit tha se në kohën e sulmit nuk ka pasur mysafirë për shkak të muajit të Ramazanit.

Grupi separatist, i quajtur Armata Çlirimtare e Baloqistanit, e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm. Ky grup tha se e sulmuan këtë hotel për shkak se duan t’i kenë në shënjestër investitorët kinezë.

“Prisni më shumë sulme, Kinë dhe Pakistan”, shkruhej në një postim të këtij grupi në Twitter. Militantët e Baloqistanit i kundërshtojnë investimet kineze në këtë rajon sepse, sipas tyre, popullsia lokale ka pak përfitime nga to.

Tre personat e armatosur e sulmuan hotelin të shtunën rreth orës 16 e 30 minuta sipas kohës lokale. Ata e vranë rojën që u përpoq t’i ndalonte ata në hyrje të hotelit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme