Google ADS

Vrau dy vëllezër pas konfliktit për kromin, dënohet me burg përjetë

20:51 | 30 Mars 2017
M. A.

Gjykata e Kukësit dënoi me burgim të përjetshëm Muharrem Bugjishën, i akuzuar nga Prokuroria për vrasjen me armë të vëllezërve Emri dhe Bilbil Batusha, si edhe plagosjen e Arbër Batusha.

Krimi ndodhi pas një konflikti mes tyre, lidhur me përdorimin e një hapësire tokë krom-mbajtëse në fshatin Kalimash.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e 25 korrikut 2014 dhe nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se i akuzuari Bugjisha, në vijim të një debati verbal, ka qëlluar shtatë herë me pistoletë, nga të cilat ka mbetur i vdekur në vend Emri Batusha, ndërkohë që është plagosur rëndë dhe ka vdekur rrugës për në spital, Bilbil Batusha.

Ndërkohë, nga plumbat ka mbetur i plagosur edhe shtetasi Arbër Batusha.

Pas krimit, i akuzuari është larguar dhe gjatë periudhës së hetimit ai nuk është mundur të arrestohet.

Autori i akuzuar është vetëdorëzuar në kohën kur Prokuroria e Kuksit dërgoi kërkesën për gjykim ndaj tij, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Gjatë gjykimit, i pandehuri dhe mbrojtja e tij kanë pretenduar se Bugjisha ka pasur probleme me shëndetin mendor si në kohën e kryerjes së krimit, po ashtu edhe në periudhën në vijim, transmeton noa.al.

Pas kryerjes së ekspertizave ligjore, është konkluduar se i pandehuri nuk ka probleme të shëndetit mendor dhe se ai e ka kryer krimin në vijim të konflikti për të ndarë zonat e kërkimit të kromit në zonën e Kalimashit.

Në përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë së Kukësit dhe dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme