Hezbollahu, grupi militant i mbështetur nga Irani, ka thënë të premten se do ta “përshkallëzojë” luftën kundër Izraelit, pas vrasjes së Yahya Sinwarit, liderit të Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Irani, ndërkohë, tregoi se nuk e ka ndër mend ta ndryshojë mbështetjen për Hamasin pas vrasjes së Sinwarit, duke thënë se “shpirti i rezistencës do të forcohet”.
Sinwar, i cilësuar si arkitekti i sulmit të 7 tetorit 2023 që e nxiti luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, u vra në jug të Gazës nga një sulm izraelit.
Hezbollahu tregoi këmbëngulësi gjithashtu, duke njoftuar për “kalimin në një fazë të re përshkallëzuese në luftën me Izraelin”.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas, në fillim të luftës në Gaza.
Në javët e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit.
Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.
Izraeli thotë se lufta e tij në Liban synon ta bëjë veriun e Izraelit të sigurt për dhjetëra mijëra njerëz që janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë vitit të fundit si pasojë e sulmeve raketore nga Hezbollahu.
Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 2.100 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.
Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 54 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite./ REL/
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...
Nesër fillon Fushata Globale “16 Ditët e Aktivizmit Ku...
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...