Zvicra ka votuar për rritje të numrit të pensioneve për të moshuarit, në një referendum të mbajtur të dielën, sipas parashikimeve preliminare të transmetuesit publik SRF.
Sipas raportimeve, 58 për qind e pjesëmarrësve e kanë përkrahur një pension të 13-të gjatë vitit, dhe 42 për qind kanë qenë kundër.
Kjo masë, që është shtyrë prej sindikatave të punëtorëve dhe partive të majta ose të qendrës, duhet të ketë miratimin e shumicës së 26 kantoneve zvicerane.
Margjina e fitores nënkupton se diçka e tillë mund të arrihet, sipas transmetuesit zviceran.
“Ky hap është një arritje e madhe prej perspektivës së sindikatave”, ka thënë Lukas Golder prej kompanisë së sondazheve gfs.bern, në disa komente për televizionin SRF.
Qeveria, organizatat biznesore lobuese dhe parlamenti, që tani ka shumicë të të djathtëve, e kanë kundërshtuar propozimin dhe e kanë konsideruar si të papërshtatshëm financiarisht.
Në të kaluarën, votuesit zviceranë kanë qenë të kujdesshëm në miratim të masave që i kanë konsideruar të rrezikshme për bizneset.
Votimi për prensionet është në kontrast me referendumet e mbajtura në dekadat e fundit në Zvicër, në të cilat janë kundërshtuar propozimet për shkurtim të ditëve të punës, apo të më shumë festave.
Megjithatë, së fundi, kostoja e jetës përbën shqetësim të madh.
Cyrihu në Zvicër, bashkë me Singaporin janë shpallur qytetet më të shtrenjta në botë, sipas një studimi të publikuar në nëntor nga The Economist Intelligence Unit.
Mery, një zvicerane 65-vjeçare, ka thënë se rritja e numrit të pensioneve ka kuptim.
“Jam e pensionuar tani dhe natyrisht që dua më shumë”, ka thënë ajo.
Ende nuk dihet se prej nga do të ndahen fondet për këtë rritje pensionesh, vendim që duhet të hyjë në fuqi më 2026.
Pensioni për të moshuarit në Zvicër është 1.225 franga në muaj dhe maksimumi është 2.450 franga.
Për çiftet shuma shkon në 3.675 franga.
Zviceranët kanë votuar edhe për iniciativën për të rritur moshën e pensionimit, mirëpo diçka e tillë është kundërshtuar me shumicë votash./rel
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...
Arrestohet një person i kërkuar në Shtërpcë
Ministri Maqedonci e nderon ambasadorin Hovenier, me medalje...
Kërkohet llogaridhënie nga Termokos dhe ZRrE për faturat e n...
Kurti e Vitia nesër në QKUK-në, marrin pjesë në përurimin e ...
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...