Google ADS

Votuesit në Sllovaki do të zgjedhin mes ish-kryeministrit pro rus dhe liberalëve pro-perëndimorë

22:14 | 30 Shtator 2023
Orgesa Haziri

Votuesit në Sllovaki do të zgjedhin sot mes ish-kryeministrit të majtë Rober Fico, i cili kërkon t’i japë fund ndihmës ushtarake për Ukrainën fqinje, dhe liberalëve pro-perëndimorë.

Sondazhet përfundimtare tregojnë se partia e zotit Fico (SMER-SSD) gëzon pothuajse të njëjtën mbështetje me partinë Sllovakia Progresive (SP).

Fituesi i zgjedhjeve do të përpiqet të formojë një koalicion qeveritar për të zëvendësuar administratën e përkohshme që drejton vendin prej rreth 5.5 milionë banorësh që nga muaji maj.

Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 10 të darkës, ndërsa një qendër votimi do të qëndrojë e hapur 40 minuta më shumë pasi një urgjencë mjekësore pezulloi votimet për pak kohë.

Anketat pas votimit do të publikohen brenda disa orësh pas mbylljes së qendrave të votimit.

Një qeveri e udhëhequr nga majtisti Fico do të nënkuptonte që Sllovakia të renditej përkrah Hungarisë duke sfiduar mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën.

Blloku po përpiqet të ruajë unitetin kundër agresionit rus në Ukrainë.

Por nëse fiton partia Sllovakia Progresive (SP), vendi do të vazhdonte kursin e politikës së jashtme, duke ruajtur mbështetjen e fortë për Ukrainën, politikat më liberale për çështje si ekonomia e gjelbërt dhe të drejtat për grupin LGBTQ+.

“Tani fjalën e kanë votuesit”, tha kreu i partisë Sllovakia Progresive (SP) Michal Simecka, pasi hodhi votën në në kryeqytetin Bratislavë. Ai është gjithashtu nënkryetar i Parlamentit Evropian.

Zoti Fico postoi një video në Facebook ku shihet duke votuar i shoqëruar nga nëna e tij, duke thënë se shpresonte se do të triumfonte “arsyeja e shëndoshë”, duke aluduar që vendi të mos kalojë nëpër aventura qofshin ato për migracionin apo ushtrinë, siç u shpreh ai.

Asnjëra nga partitë nuk pritet të marrë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.

Partia që merr më shumë vota do të duhet të formojë një koalicion qeverisës me partitë e treta më të vogla./voa/

Të ngjashme