Google ADS

Von der Leyen: Është momenti i Evropës, vaksinimi fillon më 27 dhjetor

12:53 | 17 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se vaksinimi kundër koronavirusit do të fillojë në tërë BE-në më 27, 28 dhe 29 dhjetor.

Ajo e bëri të ditur këtë lajm përmes një videoje të shkurtër të publikuar në rrjetin social, Twitter, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Ndryshe, këtë datë më herët e paralajmëroi edhe ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, i cili foli me siguri më të lartë për vendin e tij, por i përmendi edhe vendet tjera të BE-së.

“Nëse miratimi vjen siç është planifikuar, ne në Gjermani do të fillojmë më 27 dhjetor. Vendet tjera duan të jenë të gatshme për të filluar nga 27 dhjetori”, tha ministri.

Ndryshe, Gjermania edhe më parë ka bërë thirrje që Agjencia Evropiane e Ilaçeve ta miratojë sa më shpejt vaksinën kundër koronavirusit, transmeton Gazeta Express.

Vaksina e zhvilluar nga kompania amerikane “Pfizer” në bashkëpunim me kompaninë gjermane “BioNTech” është miratuar për përdorim në Britani të Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve ka paralajmëruar se vendimin rreth miratimit apo mosmiratimit të vaksinës do ta bëjë publik më 21 dhjetor, disa ditë më herët sesa që ishte planifikuar më parë.

Të ngjashme