Von der Leyen: BE-ja nuk i ka njohur talibanët

17:03 | 21 Gusht 2021
S D

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja nuk i njeh talibanët pas marrjes së kontrollit të Afganistanit.

Ajo gjithashtu tha se nuk janë duke mbajtur negociata me grupin militant, njofton Klan Kosova.

Duke folur në një konferencë për media të shtunën pas vizitës që pati në një qendër pritëse në Madrid për punonjësit afganë të organeve të BE-së të evakuuar nga Kabuli, von der Leyen tha se Komisioni do të japë fonde për vendet e BE-së që marrin refugjatë afganë.

Kjo çështje ka krijuar përçarje në Europë. Më shumë se një milion migrantë erdhën në Union në vitin 2015 – kryesisht nga Afganistani, Iraku dhe Siria – ndërsa vendet jugore të BE-së janë ankuar prej kohësh për marrjen e një numri të madh emigrantësh që kanë kaluar Mesdheun pa ndihmë të mjaftueshme nga anëtarët e tjerë.

Von der Leyen tha gjithashtu se do të kërkojë rritje të ndihmës humanitare për Afganistanin këtë vit. Por, kjo do të lidhej me respektimin e të drejtave të grave dhe pakicave etnike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme