Google ADS

Volodyyr Zelenskyy do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së

10:46 | 5 Prill 2022
KRG

Misioni i Britanisë së Madhe, kryesuesja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në prill, njoftoi në Twitter se do të sigurojë që “të dëgjohet e vërteta për krimet e luftës së Rusisë”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së në një takim për Ukrainën.

Britania e Madhe, kryesuesja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në prill, njoftoi në Twitter se do të sigurojë që “të dëgjohet e vërteta për krimet e luftës së Rusisë”.

“Ne do të ekspozojmë luftën e (presidentit rus Vladimir) Putin për atë që është në të vërtetë”, tha misioni i Britanisë së Madhe në OKB në një postim në Twitter.

Zelenskyy të hënën vizitoi qytetin Bucha, ku trupat ukrainase thuhet se kanë gjetur trupa të civilëve pas tërheqjes së trupave ruse.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova tha se 410 trupa të civilëve u zbuluan në zonat në rajonin më të gjerë të Kievit.

Rusia mohoi pamjet që shfaqnin civilë të vdekur në Bucha pranë kryeqytetit të Ukrainës si “të rreme” dhe një “provokim”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për një hetim të pavarur për këtë çështje.

SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe disa vende të Bashkimit Evropian po ashtu kanë akuzuar Rusinë për kryerjen e “krimeve të luftës” në Ukrainë pas raportimeve për mizori në Bucha.

Ambasada turke në Kiev tha se imazhet e masakrës të raportuara nga mediat nga rajone të ndryshme pranë Kievit, përfshirë Bucha dhe Irpin, janë “tmerruese” dhe bëri thirrje për një “hetim të pavarur”.

Rusia ka mohuar që trupat e saj të kenë vranë civilë derisa po tërhiqeshin nga qytetet afër Kievit./AA/

Të ngjashme