Një qytetar austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut është i dyshuari kryesor për përgatitjen e një sulmi terrorist në njërin nga koncertet e këngëtares amerikane, Taylor Swift, në Vjenë, konfirmuan autoritetet austriake, më 8 gusht.
Policia austriake tha se i dyshuari pranoi plotësisht planet për sulmin.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se nga autoritetet austriake kanë marrë një kërkesë për të grumbulluar informacione për të dyshuarin, i cili ka prejardhjen nga Maqedonia e Veriut.
“Po veprojmë sipas kërkesës së paraqitur”, thuhet në përgjigjen e shkurtër nga MPB-ja maqedonase.
Autoritetet maqedonase nuk kanë zbuluar asnjë detaj se për kë bëhet fjalë, e as nga cili vend në Maqedoninë e Veriut vjen familja e të dysharit.
Ministri austriak i Punëve të Brendshme, Gerhard Karner, ka bërë të ditur se nuk po kërkohet asnjë i dyshuar tjetër.
“Situata ishte e rëndë, situata është e rëndë. Por mund të themi se u shmang një tragjedi”, tha Karner.
Policia austriake tha se i dyshuari kryesor, 19-vjeçari austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut, ka pranuar plotësisht planet e tij.
Ata thanë se ai ishte “me sa duket i radikalizuar në drejtim të Shtetit Islamik, dhe mendon se është e drejtë të vriten të pafetë”.
Disa javë më parë, ai u zotua për besnikëri ndaj liderit aktual të grupit Shteti Islamik (IS) në internet.
Autoritetet austriake të sigurisë thonë se i dyshuari i dytë, një shtetas austriak 17-vjeçar, me rrënjë turke dhe kroate, u arrestua nga forcat speciale të policisë, pranë stadiumit ku do të mbaheshin koncertet këtë javë.
Omar Haijawi-Pirchner, drejtor i Mbrojtjes së Shtetit dhe Shërbimit të Inteligjencës së Austrisë, tha se gjithashtu u ndalua dhe u mor në pyetje një austriak 15-vjeçar me origjinë turke, i cili “është i treti i dyshuar pas 19-vjeçarit dhe 17-vjeçarit”.
Karner, po ashtu, bëri të ditur se Policia nuk intervenoi apo pengoi mbajtjen e tri koncerteve të planifikuara të këngëtares Taylor Swift, por se e “respektojnë dhe kuptojnë vendimin e organizatorëve për t’i anuluar ngjarjet me dëshirën e tyre”./rel/
Asfiksohen nga rrjedhja e gazit, dy të vdekur në Tiranë
Putin shpreh gadishmëri për negociata, por përsërit kërkesat...
Kryeministri Kurti mirëpriti një delegacion të bizneseve nga...
Therje me thikë ne Lipjan
LDK nesër pret në takim 150 bizneset më të mëdha në vend, Ru...
Mickoski: Kushdo që hap një temë për çështje identitare nuk ...