Vizitoi kryepeshkopin Anastas në spital, Mitsotakis: Lutemi për të siç ai është lutur për ne

14:50 | 6 Janar 2025
E.G

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i ka uruar shërim të shpejtë kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas, ndërsa e ka vizituar këtë të fundit një ditë më parë në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku ai ndodhet i shtruar prej 3 janarit.

“Në një botë të trazuar nga luftërat në lagjen tonë më të gjerë dhe me skenën e brendshme politike të lënë në hije nga humbja e ish-kryeministrit Kostas Simitis, por edhe gjyqi i madh i Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas. Ne po lutemi për të siç ai është lutur gjithmonë për ne për shumë dekada”, u shpreh Mitsotakis pas ceremonisë së bekimit të ujit në rezervuarin e Athinës.

Kryeministri grek e vizitoi dje (5 janar) Kryepeshkopin Anastas në ambientet e spitalit për t’u informuar mbi ecurinë e trajtimit të tij. Vizitën e vijoi më vonë edhe kreu i Kishës Ortodokse të Greqisë, kryepeshkopi Jeronimos, për t’i uruar shërim të shpejtë.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos u transportua me avion të Forcave Ajrore nga Shqipëria mesditën e 3 janarit dhe u shtrua në spitalin “Evangelismos” në Athinë, ku aktualisht ndodhet në terapi intensive.

Para dërgimit në Athinë, më 30 dhjetor kryepeshkopi 95-vjeçar u shtrua në një spital privat në Tiranë me simptomat e një infeksioni viral, por u vendos dërgimi me avion drejt Athinës për një kujdes më të specializuar mjekësor./rtsh.al/

 

Të ngjashme