Vizita e Presidentit të Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi në Turqi të mërkurën sinjalizon fundin e armiqësisë ndër vite me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Stambolli, Dorian Jones, situata në Rripin e Gazës, por edhe çështja të tjera si situata në Libi apo negociatat në mes të Somalisë dhe Etiopisë mund të jenë ndër temat e diskutimit në mes të dy Presidentëve.
Ceremonia shtetërore me të cilën Presidenti Abdel Fatah el Sissi u prit në Ankara tregon se përpjekjet ndër vite për të përmirësuar marrëdhëniet në mes Egjiptit dhe Turqisë po tregojnë rezultate. Kjo është vizita e parë e udhëheqësit të Egjiptit në 12 vjet. Vizita e zotit el-Sissi pason atë të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në muajin shkurt në Kajro.
Presidenti Erdogan e priti homologun egjiptian në aeroportin e Ankarasë përpara se të niseshin së bashku me autokolonën e Presidentit turk për në pallatin presidencial për një ceremoni mirëseardhjeje.
Gjatë takimeve, lufta në Gazë është një nga çështjet kryesore që do të diskutohet në mes të dy Presidentëve.
“Ky mund të jetë fillimi i një epoke të re në marrëdhëniet tregtare, politike dhe ushtarake. Por, më e rëndësishmja, të dy Presidentët do të flasin për mundësitë e dhënies fund të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme dhe të ulen tensionet midis Hamasit dhe ushtrisë izraelite”, thotë Mesut Casin, këshilltar presidencial turk.
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Egjiptit u dëmtuan pasi aleati i ngushtë i udhëheqësit turk, ish Presidenti egjiptian Mohammad Morsi, u rrëzua me grusht shteti dhe më pas Ankaraja mirëpriti grupet opozitare egjiptiane. Megjithatë, analistët thonë se shqetësimet e përbashkëta për luftën e Izraelit ndaj Hamasit u kanë dhënë dy vendeve arsye të mjaftueshme për të riparuar marrëdhëniet.
“Mënyra se si ka ndryshuar realiteti në rajon, të dy vendet, edhe nëse nuk do ta kishin këtë nevojë të qartë për afrim, gjithnjë e më shumë janë përafruar në qëndrime”, thotë Jalel Harchaoui nga Instituti Mbretëror britanik për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ekonomitë e Egjiptit dhe Turqisë po vuajnë dhe analistët thonë se nevoja për të rritur tregtinë dypalëshe është gjithashtu një arsye e fortë për afrimin. Ata thonë se ky bashkëpunim mund të ketë ndikim edhe në Libinë e pasur me naftë ku Kajro dhe Ankaraja mbështesin qeveritë rivale.
“Libia ka qenë një arenë shumë e rëndësishme, për të cilën Turqia dhe Egjipti kanë mospajtime. Tani, kur secili vend ka sferën e tij të ndikimit, kjo i ka ndihmuar të dy vendet (të kuptojnë) se është shumë më fitimprurëse nëse ata bashkëpunojnë, sesa të luftojnë njëri-tjetrin”, thotë analistja e sigurisë nga Libia, Aya Burweila.
Tensionet në mes të Somalisë dhe Etiopisë mbi Somalilandin gjithashtu do të diskutohen në takimin El-Sissi – Erdogan, pas njoftimeve se Egjipti ka filluar të dërgojë armë në Somali. Ankaraja ka investuar shumë në Somali dhe aktualisht është duke ndërmjetësuar mes Somalisë dhe Etiopisë.
“Egjipti dhe Turqia mund të bashkëpunojnë në Somali, veçanërisht në fushën e sigurisë. Ato mund të zbatojnë nisma të përbashkëta kundër terrorizmit; ato mund të kombinojnë përpjekjet e tyre në projektet e zhvillimit; mund të përfshihen në nisma të stabilizimit politik. Por ato gjithashtu mund të konkurrojnë me njëri-tjetrin për një rol dhe ndikim më të madh në Somali”, thotë Elem Tepeciklioglu nga Universiteti i Shkencave Sociale të Ankarasë.
Me luftën e Izraelit kundër Hamasit që vazhdon dhe rreziku i zgjerimit të konfliktit edhe në pjesë të tjera të rajonit, analistët thonë se Presidentët Erdogan dhe El-Sissi janë të vetëdijshëm se bashkëpunimi dhe jo rivaliteti është në interes të të dy palëve./VOA
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...