Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, do të udhëtojë për në Moskë më 5 korrik, për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, tha një burim nga Qeveria hungareze për Radion Evropa e Lirë.
Vizita e tij në Rusi do të realizohet disa ditë pasi ai u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, do ta shoqërojë Orbanin në Kremlin, tha burimi qeveritar. Szijjarto ka vizituar Rusinë mbi pesë herë që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës mbi dy vjet më parë.
Lajmi për vizitën në Moskë vjen disa ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian – veprim që ka rritur shqetësime në BE për shkak të deklaratave të rregullta proruse të Orbanit.
Vizita e kryeminsitrit hungarez në Rusi është dënuar nga udhëheqësit e bllokut evropian.
Charles Michel, president i Këshillit Evropian, shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se “udhëheqja me rotacion e presidencës së BE-së nuk ka mandat që të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së”.
“Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk ka diskutime për Ukrainën, pa Ukrainën”, tha Michel.
Një zyrtar i BE-së, i cili nuk deshi të identifikohej, i tha Radios Evropa e Lirë se Orbani nuk e ka informuar bllokun për ndonjë vizitë të planifikuar në Moskë.
Nëse Orban do të pyeste, Michel do ta këshillonte kundër një vizite të tillë, tha zyrtari.
Ndërkaq, gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë, Orban ia paraqiti Zelenskyt një propozim për armëpushim, teksa luftimet mes Rusisë dhe Ukrainë po vazhdojnë për më shumë se dy vjet.
“E pyeta presidentin nëse është e mundur për një pauzë, për një ndërprerje të luftimeve, për vazhdimin e bisedimeve pastaj. Në fund të fundit, një armëpushim do ta garantonte përshpejtimin e ritmit të këtyre negociatave”, tha Orban, gjatë konferencës për media në Kiev.
Muajin e kaluar, Putin tha se Rusia është e gatshme të ndalë luftën e saj – e cila besohet se ka vrarë dhe plagosur të paktën 500.000 ushtarë në të dyja palët – vetëm nëse Kievi përmbush disa kushte specifike.
Në mesin e këtyre kushteve përfshihet edhe heqja dorë nga ambicia e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO dhe dhënien e katër rajoneve, pjesërisht të pushtuara, që Rusia pretendon në tërësi, përveç Krimesë.
Ukraina ka refuzuar këto kushte, duke i cilësuar absurde, duke thënë se nëse i pranon, kjo do të nënkuptonte kapitullim për të.
Që kur Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Orban ka spikatur në mesin e udhëheqësve nga Bashkimi Evropian dhe NATO për shkak të hezitimit të tij që të nënshkruajë paketa masive të armëve perëndimore dhe paketa të ndihmës për Ukrainën./rel/
Kanadaja, Meksika dhe Kina i përgjigjen kërcënimeve të Trump
Konjufca fton mërgimtarët që të regjistrohen për zgjedhjet e...
Liga e Kampionëve vjen me nëntë ndeshje sot – vëmendja te de...
Vazhdon fushata globale `16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës...
Momenti kur Gjesti nga xhelozia i shtyn Xhenetën dhe Vullnet...
Parashikimi i moti në Shqipëri