Opinioniste të njohura të lëvizjes feministe nga i gjithë spektri politik parashikojnë se 2018-ta do të sjellë reagime të forta sociale pas një viti që u shoqërua me një numër akuzash për ngacmime seksuale që goditën figura të fuqishme publike në industrinë e artit, në biznes dhe në politikë.
Më 21 janar u mbush një vit nga Marshimi i Grave, një tubim masiv në Uashington dhe dhjetëra qytete, që është cilësuar si katalisti kryesor për ndryshime në jetën e grave. Në këtë përvjetor disa aktiviste thonë se lëvizja #Metoo — #Edheunë – që hodhi dritë mbi përmasat e problemit të abuzimeve seksuale, do të vazhdojë edhe në 2018-tën, por ka rrezik që të fillojë të shfaqë fragmentime.
“Nëse bazohemi tek përvoja e kaluar, 2018-ta do të jetë kaotike,” thotë aktivistja e valës së tretë të feminizmit, Jennifer Baumgardner në një intervistë me shërbimin shqip të Zërit të Amerikës. “Historikisht, kurdo kur ka pasur një mobilizim të feminizmit, ai është shoqëruar shumë shpejt me përçarje e ballkanizim”.
Aktivistja Baumgardner i përshëndet zhvillimet e reja ku gratë kanë marrë kurajon të dalin haptazi me dëshmitë për ngacmime seksuale. Megjithatë zonja Baumgardner, ish-redaktore e revistës me pikëpamje feministe, Ms. si dhe producente e dokumentarit me influencë, “Ishte Përdhunim”, thotë: “Nuk mendoj se shumë nga këto raste që dëgjojmë në lajme ngjajnë krejt të sinqerta pasi po përdoren për qëllime politike”.
“Akuzat për sjellje të papranueshme seksuale mund të shndërrohen në armë politike në klimën aktuale në Shtetet e Bashkuara, ku kemi një polarizim të debatit politik, ku po përdoret çdo mjet i mundshëm për të dëmtuar dhe larguar nga posti kundërshtarin politik,” thotë ajo.
Zonja Baumgardner parashikon që e gjithë kjo dallgë akuzash do të sjellë kundërakuza nga burrat për pushime të padrejta nga puna, apo për njollosje të emrit, duke thënë se ky “do të jetë një vit i mbarë për zyrat e avokatisë dhe zyrat e personelit në kompani të ndryshme” që do të merren me këtë reagim.
Rrezik për “Panik nga Seksi”
Në nëntor, Christina Hoff Sommers, studiuese në Institutin “American Enterprise” me prirje konservatore dhe autore e librave “Kush e vodhi feminizmin” dhe “Lufta kundër Djemve”, botoi një artikull opinion në gazetën New York Daily News, duke paralajmëruar se “paniku që po qarkullon… mund ta shkatërrojë lëvizjen #Edheunë”.
“Lëvizja #Edheunë ka ndryshuar pozitivisht dinamikën në vendin e punës,” tha ajo përmes një emaili për Zërin e Amerikës. “Ekziston vendosmëria që të krijohet një kulturë pune e përshtatshme për shekullin e 21-të me standarde për barazi dhe respekt. Por kjo përpjekje e vlefshme mund të shndërrohet shumë kollaj në panik nga marrëdhëniet seksuale. Paniku sjell kaos dhe persekutim, nuk zgjidh probleme. Na nevojiten rregulla dhe përkufizime të qarta dhe të arsyeshme. Nuk na intereson të bëjmë luftë kundër burrave; nuk na duhen politika që trajtojnë çdo flirtim të ngathët apo çdo koment të pakëndshëm si një shkelje që justifikon pushimin nga puna”.
Rregullat e qarta dhe përkufizimet e logjikshme, shtoi ajo, përfshijnë gjëra si një udhëheqje në vendin e punës që këmbëngul për “sjellje me edukatë e respekt,” politika kundër ngacmimeve seksuale dhe mekanizma funksionalë për të raportuar sjelljet e dënueshme.
Megjithë sukseset e mëdha që ka arritur lëvizja për barazinë e gruas në Shtetet e Bashkuara, të cilën zonja Sommers e quan “një mekanizëm të gjerë për barazi sociale,” ajo e cilëson feminizmin e sotëm si një “grup i pamëshirshëm që nxitet vetëm nga disa interesa specifike”.
“Feminizmi e sheh betejën për të drejtat e grave si një luftë mes meshkujve e femrave, ku njëra palë do të dalë e humbur, tjetra e fituar. Por pjesa më e madhe e grave duan barazi, jo luftë,” thotë autorja. “Burrat nuk janë armiku; ata janë vëllezërit, burrat, djemtë dhe miqtë e tyre. Prandaj do t’i këshilloja organizatoret e Marshimit të Grave: zbusni retorikën. Lëvizja #Edheunë mund ta ndryshojë pozitivisht botën, vetëm nëse në këtë lëvizje angazhohen bashkarisht si gratë, ashtu edhe burrat”.
Nucchi Currier, presidente e Klubit Kombëtar të Grave Demokratike shpreh pikëpamje të ngjashme në një intervistë me shërbimin në rusisht të Zërit të Amerikës ku thekson nevojën për komunikim më të mirë mes burrave dhe grave si dhe mes brezave të ndryshëm të lëvizjes feministe.
Klima politike në ndryshim
Zonja Currier parashikon se për 10 vjetët e ardhshëm gratë do të jenë në qendër të zhvillimeve, duke i dhënë formë të re edhe politikës.
“Me sa shohim në Shtetet e Bashkuara kemi shkuar në ekstrem, janë krijuar përçarje aq të thella, për shembull mes Partisë Demokrate dhe Partisë Republikane, sa që nuk mendoj se mund të vazhdohet kështu. Edhe brenda vetë Partisë Demokrate ka përçarje mes krahut progresist dhe krahut të traditës; këto përçarje po thellohen gjë që e dobëson vendin,” thotë zonja Currier.
Ajo thotë se ndryshe nga aktivistet e fillimit të shekullit XX që luftonin për të drejtën e votës për gruan, të cilat në disa raste u detyruan të përleshen edhe fizikisht për të përcjellë mesazhin e tyre, sot feministet angazhohen vetëm në përplasje verbale. Megjithatë kjo s’do të thotë se beteja është e lehtë, thotë ajo.
Pasi aktivistet siguruan të drejtën e votës, thotë zonja Currier, ato siguruar vetëm hapin e parë në një rrugëtim shumë më të gjatë. “Ende ndeshemi me problemin e përfaqësimit shumë më të ulët në qeverisje dhe në nivelet e larta të drejtimit të korporatave. Gratë janë shumica e popullatës. Po ashtu ato janë të angazhuara në tregun e punës. Por gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet në nivele drejtuese dhe nuk paguhen sa duhet. Vazhdojmë të kemi pengesa në rrugën drejt majës,” shton ajo. “Nëse gratë nuk janë të pranishme në bordet drejtuese të kompanive dhe në sallat ku merren vendime politike, asgjë nuk do të ndryshojë. Pasi gjithmonë do të ekzistojë tendenca për të manipuluar rrethanat në interes vetjak. E tillë është natyra njerëzore”./VoA/
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...
Lushtaku viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Do të kthehen ...