Google ADS

Virologu që zbuloi ebolën: Pandemia sapo ka filluar

01:13 | 13 Korrik 2020
Trina Galanxhi

“Pandemia e koronavirusit sapo ka filluar, por vala e dytë mund të ketë karakteristika shumë të ndryshme nga e para”. Ky është parashikimi që bën në një intervistë për “El Pais”, virologu Peter Piot, një nga më të njohurit në botë, i angazhuar në studimin e viruseve të reja.

Piot aktualisht drejton Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Britaninë e Madhe dhe është këshilltar special i Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ai ishte vetëm 27 vjeç, kur ndihmoi në zbulimin e Ebolës. Përvojë personale ka pasur edhe me koronavirusin, pasi rezultoi pozitiv në fillim të këtij viti.

“Tani e di se çfarë është, jo vetëm pse e kam studiuar, por edhe sepse e kam njohur “nga brenda”, pasi kam qenë i infektuar. Është një këndvështrim shumë i ndryshëm dhe i dobishëm, i cili më ka dhënë shumë më tepër arsye për ta luftuar edhe si shkencëtar”, – shpjegon Piot për “El Pais”.

Si shumë kolegë të tij, ai gjithashtu pohon se të dhënat e përhapjes së Covid-19 janë të nënvlerësuara.

“Unë besoj se kemi realisht afërsisht 20 milionë raste infeksioni në të gjithë botën dhe se edhe vdekjet janë shumë më tepër sesa ato që raportohen. Koronavirusi, njësoj si HIV-i, është një epidemi e heshtur. Por është edhe shumë më tepër se kaq: është kriza më e madhe sociale në kohë paqeje”.

Ai thotë se duhet të përgatitemi për valën e dytë.

“Nëse mendojmë për Europën, praktikisht të gjitha vendet kanë arritur ta kufizojnë përhapjen e virusit. Vendet po kthehen në rrugën e duhur dhe qeveritë po shqyrtojnë disa masa. Por tani duhet të përgatitemi për të ashtuquajturën valë e dytë. Shpresoj që nuk do të jetë një cunami, por diçka më e ngjashme me shpërthimet që ne po shohim në Gjermani ose në klubet e natës në Kore.

Në Britaninë e Madhe, ne vazhdojmë të shohim shpërthime të rasteve të reja në disa azile. E vërteta është se jemi vetëm në fillim të kësaj pandemie. Për sa kohë që ka njerëz të prirur për t’u infektuar, virusi gjithmonë do të jetë një rrezik sepse i duhen qelizat tona që të riprodhohet”.

Pra, ende nuk ka mbaruar. Pandemia sapo ka filluar, ajo mund të zgjasë me vite dhe mund të marrë jetë të tjera.

“Gjetja e një vaksine brenda një kohe të shkurtër do t’i ndryshonte gjërat. Shumë thonë që do të jetë gati deri në tetor, por ka më shumë të ngjarë të jetë gati në vitin 2021. Sigurisht që kjo mund të ndihmojë vërtet mbajtjen e epidemisë nën kontroll” – thotë ai./lapsi.al/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme