Meksiani Fabian Rebolledo Cuevas, i cili kishte shërbyer si ushtar i Shteteve të Bashkuara në Kosovë në vitin 1999, është dëbuar nga SHBA-të për në vendin e tij të origjinës.
I tradhtuar, i mashtruar dhe i dëshpëruar, është shija që i është lënë veteranit të ushtrisë amerikane, Fabian Rebolledo Cuevas, pasi është dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Meksikë.
I rekrutuar në vitin 1997 në moshën 23-vjeçe në ushtrinë amerikane, veterani me prejardhje nga Meksika, i cili ka jetuar në Amerikë me prindërit e tij që prej se ishte 13-vjeç, i ishte thënë që nëse do kryente shërbim mund të fitonte shtetësi ligjore.
“Në vitin që arrita në Los Angeles, Kaliforni, prindërit më futën në shkollë, përfundova kolegjin në Rio Hondo, Kaliforni, por mu desh të largohesha për të ndihmuar prindërit me shpenzimet”, tregon ai.
Në vitin 1999 ai shërbeu si ushtar i trupave ushtarake amerikane në Kosovë, shkruan mediumi meksikan Mundo Ejecutivo.
Ai kishte shërbyer si ushtar edhe në Greqi dhe në Itali. Pas këtyre shërbimeve jashtë Amerikës, ai u kthye në Karolinën Veriore si pjesë e njësitit të fluturuesve me parashutë, njëri nga njësitet më të njohura në SHBA.
“Pas shërbimit tim, punova për universitetin për një periudhë tre vjeçare, gjithmonë me mentalitetin e njëjtë që un veç se isha një shtetas amerikan, edhe kur udhëtoja për në Tijuana dhe nuk prezantoja dokumentet për atë arsye”, thotë ai.
Asnjëherë nuk ka pasur problem në udhëtim, pasi që thoshte që ishte qytetar i vendit dhe kalonte.
Sidoqoftë, në vitin 2005 kur po punonte në kompaninë e tij të ndërtimit, ai mori një letër migrimi në të cilën i kërkohej të ripërtërinte lejen e qëndrimit, “mua, ku unë besoja që veç se isha shtetas”.
Edhe kolegët e tij të ushtrisë ishin në të njëjtën situatë, dhe kur ky provoi të ripërtërinte qëndrimin pati probleme, shkruan Insajderi.
Kjo për shkak se ai ishte arrestuar një herë nën ndikimin e alkoolit dhe ishte nën një test të sjelljes. Edhe pse gjykatësi e fali, atij iu mohua shtetësia.
Më pas për shkak të disa incidenteve, ku ai u arrestua dhe u dënua me 16 muaj burgim, dhe me këtë rast ai hyri në listën e dëbimit. Fabian luftoi për vetën për 11 muaj në gjyq, por përsëri merret vendimi që ai të kthehet.
“Gjykatësi shikon dokumentet e mia, thotë, faleminderit për shërbimin tënd, por unë ende mendoj që je kërcënim për shoqërinë, dhe më dëboi në mars të vitit 2010”, tregon ai.
I dëbuar në Meksikë, një vend ku nuk e njeh askënd dhe pa asnjë cent në gjep, njëri nga të dëbuarit e ndihmon për pagesën e biletës dhe hotelit. Sidoqoftë arrin të kthehet përsëri në SHBA, vazhdon të punojë, por dëbohet përsëri pas një incidenti në trafik.
Veterani dërgohet në një qendër mbajtjeje në Los Angeles, ku thotë që është keqtrajtuar dhe rrahur nga oficerët e migrimit “vetëm për shkak që iu tregova që isha shtetas i atij vendi sepse kam qenë pjesë e forcave të armatosura”.