Venezuelë, Maduro i mbijeton atentatit me “drone”, akuzon Kolumbinë

08:49 | 5 Gusht 2018
Arbresh.info

Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro i ka mbijetuar një atentati të ndërmarrë ndaj tij përmes “drone”-ve të mbushur me eksplozivë.

Maduro ishte duke folur në një ceremoni ushtarake në Karakas, në momentin kur ndodhi sulmi i papritur.

Pamjet e drejtpërdrejta të fjalimit të Maduros treguan fillimisht vështrimin shqetësuese përpara të presidentit, e më pas dhjetëra ushtarë që ia mbathën nga vendngjarja.

Maduro ka fajësuar Kolumbinë për këtë sulm, por kjo akuzë është hedhur poshtë nga zyrtarë të Bogotës si “e pabazë”.

Sipas autoriteteve venezueliane, nga sulmi mbetën të plagosur 7 ushtarë, ndërsa disa persona u arrestuan më pas.

Incidenti ndodhi në kohën kur Maduro ishte duke folur në ceremoninë që shënonte 81-vjetorin e ushtrisë kombëtare. Dy “drone” të mbushur me eksplozivë shpërthyen shumë pranë podiumit ku ndodhej presidenti, sipas ministrit të Komunikimeve, Jorge Rodriguez.

Maduro doli sërish në televizion për një adresim përpara kombit, për të thënë se “një objekt fluturues shpërtheu pranë meje. Ishte një shpërthim i fuqishëm, e pas disa sekondash dëgjuam edhe një tjetër shpërthim”.

Pamjet në rrjetet sociale treguan truproja me antiplumb që u rreshtuan në mbrojtje të presidentit Maduro pas sulmit. Maduro akuzoi Kolumbinë fqinje, si dhe disa elementë në Shtetet e Bashkuara për nxitjen e një “komploti” për vrasjen e tij. Ai tha se “nuk kishte asnjë dyshim” që pas sulmit fshihej presidenti kolumbian Juan Manuel Santos, megjithatë, udhëheqësi venezuelian, i cili në të kaluarën ka akuzuar edhe Shtetet e Bashkuara për komplote ndaj tij, nuk dha prova në mbështetje të akuzës së tij.

Qeveria kolumbiane ka mohuar të ketë qenë e përfshirë në këtë sulm, duke thënë se “nuk ka baza” për pretendimet e Maduros. Ndryshe nga presidenti, ministri Rodriguez akuzoi opozitën konservatore të Venezuelës për ndërmarrjen e këtij sulmi. “Pasi humbën zgjedhjet, ata dështuan sërish”, tha ai, duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale të muajit maj, kur Maduro u rizgjodh për një tjetër mandat 6-vjeçar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme