Kryeprokurorja e Venezuelës ka njoftuar shkarkimin e saj nga Asambleja e re Kushtetuese, duke e justifikuar këtë veprim arbitrar me faktin që qeveria e Maduros kërkon të ndalë hetimet që ajo kishte nisur për korrupsion dhe abuzime me të drejtat e njeriut.
Luisa Ortega, dikur mbështetëse por sot kritike e presidentit Nicolas Maduro, e ka refuzuar shkarkimin e saj. Ajo pritet të përballet në gjyq me akuzën e “sjellje të keqe të rëndë”, sipas asaj që ka bërë të ditur Gjykata Supreme.
Ndërkohë, nga presionet e ndërkombëtarëve duket se njëri prej udhëheqësve të opozitës është rikthyer nga burgu në arrest shtëpiak. Leopoldo Lopez ishte “rrëmbyer” në shtëpinë e tij gjatë së enjtes dhe kaloi 4 ditë në një burg ushtarak.
Por duket se edhe blloku rajonal amerikano-jugor “Mercosur” ka dalë kundër Venezuelës, një vend që është pezulluar “për një kohë të pacaktuar”, pasi më herët ishte përjashtuar përkohësisht. “Mercosur” njofton se vendi amerikano-latin nuk do të ripranohet në bllokun rajonal, derisa Asambleja Kushtetuese të zhbëhet dhe të gjithë të burgosurit politikë të lirohen.
Një tjetër kryeopozitar i qeverisë së Maduros, Antonio Ledezma, është rikthyer gjithashtu në arrest shtëpiak, pasi kaloi 3 ditë në burg gjatë javës së kaluar. Që të dy krerët e opozitës kanë inkurajuar protestat kundër Asamblesë Kushtetuese, e cila dominohet nga mbështetës të qeverisë.
Në seancën e parë të së shtunës, Asambleja votoi unanimisht për të shkarkuar nga posti kryeprokuroren Ortega. Ajo u ndalua të hynte në zyrat e saj në kryeqytetin Karakas, nga dhjetëra oficerë të Gardës Kombëtare me veshje antitrazira, e u detyrua të largohej me një motor mes skenave kaotike.
Në një deklaratë në spanjisht të lëshuar nga zyra e Prokurorit Publik, ajo tha se qeveria e Maduros ishte duke udhëhequr ngë “grusht shteti kundër Kushtetutës”.
“Nuk e njoh vendimin e Asamblesë Kushtetuese”, tha ajo për shkarkimin e saj. “Ky është thjesht një shembull i vogël i asaj që po vjen për cilindo që guxon të kundërshtojë këtë formë totalitare të qeverisjes”.
Gjykata Supreme, me besnikë të Maduros, nuk dha detaje të akuzave ndaj saj. Ortega, e cila doli nga shinat e qeverisjes në muajin mars, e ka kundërshtuar betimin e Asamblesë së re ditën e premte, duke cituar pretendimet për manipulim e vjedhje votash.
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist