Venezuela po vuan nga mungesa e benzinës në treg, me qytetarë që presin me padurim në pikat e karburanteve për furnizimin e automjeteve. Irani ka nisur të paktën pesë anije-çisternë për t’i ardhur në ndihmë vendit, por Uashingtoni ka kundërshtuar.
Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës bruto në botë, por tregu i saj i brendshëm mbetet në një krizë disamujore nga mungesa e karburanteve.
Për shkak të sanksioneve ekonomike që aplikon Amerika, vendi nuk arrin të eksportojë dhe as të importojë lirisht lëndë djegëse nga vendet e treta.
Një marrëveshje e fundit mes Venezuelës dhe Iranit po ashtu po kundërshtohet nga Uashingtoni.
Në këmbim të pagesës në flori me vlerë 900 milionë dollarë, Teherani ka nisur të paktën pesë anijë-cisternë me karburant dhe aparatura për të rivënë në funksion rafineritë e naftës të shtetit latin.
SHBA-ja ka paralajmëruar tensione nëse anijet iraniane e realizojnë objektivin e tyre.
Flota amerikane prej muajit prill po zhvillon manovra ushtarake në veri të vendit, në Detin e Karaibeve.
Ndërkohë vetë qytetarët venezuelas bëjnë apel për tejkalimin e situatës dhe mbajnë përgjegjës shtetin.
“Ne jemi vendi më i pasur me naftë në botë dhe nuk e di çfarë po ndodh, nuk duhet të ndodhë kjo. Duhet të dalë dikush ose disa palë fajtorë.”
“Nuk e di a do të realizohet dërgesa nga Irani, nuk mendoj. Është e pazakontë që benzina të mos prodhohet këtu.”
Keqmenaxhimi dhe mungesa e investimeve në rafineritë shtetërore të Venezuelës, ndërkohë, ka ulur ndjeshëm prodhimin vendës duke siguruar në muajin mars rreth 7 mijë fuçi të reja benzinë në ditë, kur kapaciteti i uzinave është për 1,3 milionë fuçi.
Sanksionet ndaj autoriteteve venezuelase dhe veçanërisht ndaj presidentit socialist, Nikola Maduro, u shtrënguan më tej vitin e kaluar.
Uashingtoni e akuzon Maduros për kolapsin ekonomik, korrupsion, shkelje të të drejtave të njeriut dhe për manipulimin e zgjedhjeve të fundit.
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag