Vendet myslimane do të ndihmojnë Afganistanin

22:55 | 19 Dhjetor 2021
Trina Galanxhi

Organizata e Bashkëpunimit Islamik ka njoftuar se do të zhbllokojë qindra miliona dollar në pronat afgane dhe do të krijojë një fond donacionesh për të lehtësuar krizën humanitare në Afganistan.

Organizata që përbëhet prej 52 vendeve vendosi në një sesion të jashtëzakonshëm në Islamabad se do të “fillojë negociatat me Kombet e Bashkuara” për “zhbllokimin e kanaleve bankare dhe financiare dhe të ndihmës humanitare”, transmeton portal arbresh.info

Kjo është konferenca e parë e madhe për Afganistanin që nga rënia e ish-qeverisë së mbështetur nga SHBA-të.

Që kur talebanët kanë marrë pushtetin, vendet perëndimore kanë ngrirë miliarda dollarë ndihma.
Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar 9.5 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore të Afganistanit, ndërkohë që vendi po përballet me një dimër shumë të ashpër.

OKB-ja ka paralajmëruar vazhdimisht se Afganistani po përballet me një nga katastrofat më të këqija humanitare në botë dhe Programi Botëror i Ushqimit (ËFP) i frikësohet një “murtaje të urisë”.

Duke folur në hapjen e seancës, Ministri i Jashtëm pakistanez Shah Mahmood Qureshi paralajmëroi për “pasoja të rënda” që mund të çojnë në kolaps ekonomik, duke përmendur urinë e rëndë, një fluks të ri refugjatësh dhe një rritje të ekstremizmit.

“Ne nuk mund të injorojmë rrezikun e një kolapsi të plotë ekonomik,” paralajmëroi ai përfaqësuesit e vendeve anëtare të OIC, duke përfshirë homologun e tij taleban Amir Khan Muttaqi, si dhe të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Bashkimi Europian dhe OKB-ja.

Asnjë nga vendet pjesëmarrëese nuk e ka njohur qeverinë e re të talebanëve, ndërsa në regjimin e kaluar taleban e patën njohur Pakistani, Arabia Saudite dhe Emiratët e Bashkuara e Arabe./arbresh.info/

Të ngjashme