Vdes Ivana Trump, ish-gruaja e Donald Trump

07:51 | 15 Korrik 2022
E.H

NJU JORK – Ivana Trump, ish-skiatorja që në vazhdim u bë sipërmarrëse dhe përfaqësonte gjysmën e një çifti të fuqishëm në vitet 1980, gruaja e parë e ish-Presidentit Donald Trump dhe nëna e tre fëmijëve të tij më të rritur, ka vdekur në Nju Jork, njoftoi të enjten familja.

Ajo ishte në moshën 73-vjeçare.

Ish-Presidenti Trump shkruajti në aplikacionin e medias sociale që ka themeluar se ajo vdiq në shtëpinë e saj në Nju Jork.

“Ajo ishte një grua e mrekullueshme, e bukur dhe mahnitëse, që pati një jetë të shkëlqyer dhe frymëzuese”, shkruajti ai në rrjetin social Truth Social.

Çifti pati tre fëmijë, Donald Jr, Ivank-an dhe Eric-un.

“Ishte shumë krenare për ta, ashtu siç ishim të gjithë ne krenarë për të”, shkruajti ai. “Pusho në paqe, Ivana!”.

Dy persona në dijeni të çështjes i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se policia po heton nëse Ivana Trump ka rënë nga shkallët dhe se mendon se vdekja e saj ishte aksidentale.

Ajo u gjet pa ndjenja në shtëpi pranë shkallëve, thanë dy personat.

Ata nuk munden të flasin publikisht për këtë çështje dhe folën me agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti.

Zyra e mjekut ligjor do të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes.

“Ka qenë një ditë shumë e trishtuar, një ditë shumë e trishtuar”, tha Eric Trump ndërsa po largohej nga shtëpia e nënës së tij në Manhattan.

Në një deklaratë, ai dhe fëmijët e tjerë e quajtën atë “një grua të pabesueshme, një forcë në biznes, një atlete e klasit botëror, një bukuri rrezatuese dhe një nënë dhe mike e kujdesshme”, si dhe një e mbijetuar.

“Ajo iku nga komunizmi dhe përqafoi këtë vend”, vazhdoi deklarata e tyre.

“Ajo u mësoi fëmijëve të saj për kurajon dhe ashpërsinë, dhembshurinë dhe vendosmërinë”.

Ish-atlete e skive, me origjinë çeke, dhe ndonjëherë edhe modele, Ivana Trump u martua me presidentin e ardhshëm në vitin 1977./VOA/

Të ngjashme