Vdes ish-presidenti i KE-së, Jacques Delors

20:47 | 27 Dhjetor 2023
D.H

Ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jacques Delors, themelues i projektit historik për monedhën e përbashkët të Bashkimit Evropian, ka vdekur në moshën 98-vjeçare.

Delors, një avokues i madh i integrimit evropian të pasluftës, shërbeu si president i Komisionit Evropian, trupit ekzekutiv të BE-së, për tri mandate – më shumë se çdo zyrtar tjetër në këtë pozitë – nga janari i vitit 1985 deri në fund të vitit 1994.

Gjatë udhëheqjes së Delors me KE-në, në këtë institucion u ndërmorën hapa të mëdhenj në integrimin e bllokut. Këtu përfshihet edhe themelimi i tregut të përbashkët, marrëveshja për lëvizje e Schengenit, programi i këmbimit të studentëve Erasmus, dhe krijimi i monedhës së përbashkët të BE-së, euro.

Delors, socialist, ka pasur karrierë politike të nivelit të lartë në Francë, shtet ku ka shërbyer si ministër i Financave, gjatë presidencës së Francois Mitterrand nga viti 1981 deri më 1984.

Megjithatë, ai refuzoi të garonte për president më 1995, pavarësisht se në sondazhe printe. Ai tha se këtë vendim e mori nga pasi “dëshira për pavarësi ishte shumë e madhe”.

“Nuk pendohem”, deklaroi më vonë ai lidhur me vendimin për të mos garuar në zgjedhjet presidenciale. “Por, nuk mund të them se kisha të drejtë”.

Më vonë ai themeloi një institut që synonte avancimin e federalizmit evropian dhe në vitet e fundit paralajmëroi për rreziqet e popullizmit në Evropë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nderoi bashkëkombësin e tij, i cili tha se ishte “arkitekt i pashtershëm i Evropës sonë” dhe luftëtar për drejtësinë njerëzore.

Michel Barnier, kryenegociatori i BE-së gjatë negociatave për largimin e Britanisë nga blloku evropian, tha se Delors ishte një inspirim dhe arsye “për të besuar në ‘ide të caktuara’ të politikave të Francës dhe të Evropës”./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme