Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij, përfshirë ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të vdekur në vendin ku u rrëzua një helikopter në veriperëndim të Iranit.
Televizioni shtetëror i Iranit raportoi më 20 maj se helikopteri u rrëzua si pasojë e motit të keq.
Kabineti i Raisit është duke e mbajtur një takim emergjent, sipas mediave shtetërore.
Ligji iranian thekson se, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë. Një këshill, i përbërë nga kryetari i Parlamentit, kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditëve.
Mohammad Mokhber është zëvendëspresidenti i parë i tanishëm i Iranit.
Ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga disa qeveri të huaja, bënë përpjekje të mëdha për ta gjetur helikopterin, i cili ishte rrëzuar si pasojë e gjendjes së keqe atmosferike në pjesën bjeshkore të vendit më 19 maj.
Helikopteri i Raisit po kthehej nga qyteti Tabriz kur u rrëzua në afërsi të qytetit Jolfa. Televizioni shtetërore e kishte përshkruar si “ulje të vrazhdët”, por disa media raportuan, me burime qeveritare, se helikopteri u rrëzua derisa po e kalonte një fushë bjeshkore dhe malore.
Qeveria e Iranit tha se ai ishte njëri nga tre helikopterët që po fluturonin së bashku dhe se dy të tjerët ateruan në mënyrë të sigurt në Tabriz.
Raisi dhe Amir-Abdollahian udhëtuan në Azerbajxhan më 19 maj, për ta përuruar një digë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Aliyev shkroi në rrjetin social X se Azerbajxhani u “shqetësua pafundësisht” nga lajmi për rrëzimin e helikopterit të Raisit.
Raisi u zgjodh president më 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.
Ai kishte bërë përpjekje të mëdha në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore, duke e lejuar vendin e vet ta rrisë dukshëm njëkohësisht edhe programin e vet për uranium të pasuruar./rel
Lexo edhe:
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...