Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit u respektua për të tretën ditë të dielën ndërsa autoritetet në Gaza dhe agjenci ndërkombëtare të shëndetësisë nxituan të trajtojnë 1,900 njerëz të plagosur nga sulmet ajrore izraelite.
Në Jeruzalem, policia izraelite, pa ndonjë incident, lejoi hyrjen e vizitorëve hebrenjë në një vend të debatuar në kompleksin e xhamisë al-Aqsa që është i shenjtë si për hebrenjtë ashtu edhe për myslimanët. Konflikti në al-Aksa ishte një nga përplasjet e hershme që shkaktuan 11 ditë sulme ndërkufitare midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gaza para se të hynte në fuqi një armëpushim të premten.
Luftimet më të ashpra në rajon që nga viti 2014, lanë 248 njerëz të vdekur në Gaza dhe 13 në Izrael. Sistemi izraelit i mbrojtjes ajrore Kupola e Hekurt asgjesoi shumë nga raketat e lëshuara nga Gaza.
Pas ndërprerjes së konfliktit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të dielën se Shtetet e Bashkuara besojnë se është koha për një zgjidhje që jep “të drejta të barabarta si për izraelitët ashtu edhe palestinezët”.
Ai tha për emisionin “This Week” të kanalit ABC se palestinezët duhet të “kenë shpresë për të jetuar në siguri dhe dinjitet në një shtet palestinez”. Ai tha se Presidenti Joe Biden “mbetet i përkushtuar për një zgjidhje me dy shtete”, me një shtet të veçantë palestinez, por pranoi se “nuk ishte domosdoshmërisht diçka që mund të arrihej sot”.
Sekretari Blinken, i cili udhëton në rajon këtë javë, fajësoi militantët e Hamasit për luftimet e fundit, duke thënë, “Hamasi nuk ka sjellë asgjë tjetër përveç shkatërrimit për popullin palestinez.”
Shumë struktura civile në Gaza u shkatërruan nga bombardimet izraelite, duke e bërë më të vështirë trajtimin e të plagosurve dhe trajtimin e një shtimi të rasteve të koronavirusit si pasojë e palestinezëve të grumbulluar në qendrat e komunitetit dhe vendstrehime nëntokësore për të shmangur bombardimet.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se po dërgonte pajisje mjekësore dhe furnizime në Gaza për të trajtuar të plagosurit dhe për të përballuar pasojat e infrastrukturës së shembur. Furnizimet me ujë janë pakësuar me 40% në Gaza dhe 700,000 njerëz kanë ndërprerje të energjisë elektrike.
Zyrtarët palestinezë thonë se rindërtimi do të kushtojë dhjetëra miliona dollarë.
Lynn Hastings, koordinatore humanitare e Kombeve të Bashkuara për territoret palestineze, u tha gazetarëve se programi ndërkombëtar COVAX i vaksinave, drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe institucione të tjera ka në plan të dërgojë brenda ditësh doza të vaksinave të koronavirusit në Gaza. Aktualisht, më pak se 40,000 banorë janë vaksinuar në Gaza, më pak se 2% e popullsisë.
Izraeli tha se bëri të pamundurën për të shmangur viktimat civile në konflikt, duke fajësuar Hamasin për hedhjen e raketave që kishin si objektiv izraelitët.
Mark Regev, një këshilltar i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i tha kanalit Fox News të dielën se sulmet ajrore izraelite i kishin dhënë Hamasit një “goditje të rëndë” dhe shfaqi shpresën se kjo do të shërbente si një mësim për ta.
Disa ligjvënës dekokratë progresistë amerikanë kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund shitjes së armëve amerikane Izraelit, përfshirë një furnizim të rradhës me një vlerë prej 735 milionë dollarësh, me bindjen se marrëveshje të tilla armësh gjenerojnë më shumë konflikte në rajon.
Para se të arrihej armëpushimi, senatori Bernie Sanders i shtetit të Vermontit tha, “Në një kohë kur bomba të prodhuara nga SHBA po shkatërrojnë qytetin Gaza dhe po vrasin gra dhe fëmijë, ne nuk mund të lejojmë që një tjetër shitje e madhe armësh të miratohet pa një debat në Kongres”.
Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për t’i dhënë “Izraelit mjetet për të mbrojtur veten” kundër sulmeve të raketave palestineze, por tha se çdo shitje armësh do të bëhet “në konsultim të plotë me Kongresin”.
Mësymjet e policisë në dhe pranë al-Aksas gjatë muajit të fundit të shenjtë mysliman të Ramazanit, së bashku me dëbimet e planifikuara të palestinezëve nga shtëpitë e pretenduara nga kolonët hebraik në Jeruzalemin lindor, ndezën sulmet me raketa të Hamasit më 10 maj dhe çuan në 11 ditë luftime.
Ndërkohë, ndërmjetësuesit egjiptianë kaluan kufirin e Gazës dhe u takuan me rivalin e Hamasit me bazë në Bregun Perëndimor, Presidentin Palestinez Mahmoud Abbas, në një përpjekje për të mbështetur armëpushimin./VOA/
Shoferi humb kontrollin, shtatë të lënduar në New York
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Parashikimi i motit në Shqipëri
Giro d’Italia në Shqipëri/ Rama: Lajmi është publikuar në 70...
Të paktën dhjetë të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
Nuk ka pritje në pikat kufitare të Republikës së Kosovës