Vazhdon heqja e kufizimeve të koronavirusit në Nju Jork

01:54 | 23 Mars 2021
Trina Galanxhi

Nju Jorku, një nga qytetet amerikane më të goditura nga pandemia e koronavirusit, po vazhdon të rihapet. Bizneset po lejohen të rihapen, restorantet po rrisin kapacitetin e klientëve me 50 për qind. Edhe teatrot e famshme të Broadway-t, pritet të rihapen. Por qyteti është ende larg normalitetit.

Ka qenë një vit i vështirë për Nju Jorkun. Më shumë se 3.5 milionë banorë vlerësohet të kenë braktisur qytetin, të paktën përkohësisht, numri i turistëve është ulur me rreth dy të tretat dhe shumë zona

Por tani ka filluar të kthehet shpresa.

Qendrat, si kjo në Shoqërinë Historike të Nju Jorkut, tani lejohen të rihapin dyert, megjithëse me 50 për qind të kapacitetit. Deri në 150 vizitorë do të lejohen të hyjnë brenda, duke respektuar masat e distancimit fizik.

“Kërkesat kanë filluar të vijnë. Korporatat kanë filluar të pyesin në lidhje me orarin e vjeshtës, ka disa kërkesa për të organizuar aktivitete gjatë festave. Jemi të kënaqur që me korporatat, organizatat jo-fitimprurëse dhe grupet e tjera më në fund do të kemi biseda shumë më aktive për organizimin e ngjarjeve në objektin tonë”, thotë Will Joseph nga Grupi Kuzhinier i Konstelacionit.

Restorantet deri tani lejoheshin të shërbenin në mjediset jashtë, por kjo mund të ndryshojë tani që sto do të lejohen të shfrytëzojnë 50 për qind të kapacitetit të tyre në mjediset e brendshme.

Një ndryshim shumë i mirëpritur për restorantet si Tony di Napoli në Upper East Side.

Megjithatë, në zona të tjera të qytetit, ndryshimi sjellë pak përfitime nëse nuk ka mjaft vende të disponueshme brenda restoranteve.

“Para pandemisë, rezervimi i një tavoline ishte i vështirë në restorantin e njohur, Tony’s Midtown. U detyruam ta mbyllnim për gati nëntë muaj restorantin me 350 vende që pothuaj çdo natë ishte i mbushur me klientë. Ishte e rëndë”, thotë menaxheri i restorantit, Jesse Feldman.

Restorantet më të vogla familjare, mund të mos shohin përfitime nga rritja e kapacitetit në mjediset e brendshme për shkak të masave të distancimit fizik.

“Shumice e tyre nuk mund të mbijetojnë me 50 për qind të kapacitetit”, thotë zoti Feldman.

Me rritjen e kapaciteteve të restoranteve ka ardhur edhe lajmi i mirë se edhe teatrot e Broadway-t, mund të fillojnë aktivitetin përsëri më 2 prill, por me një të tretën e kapacitetit, me një kufi prej 100 personash brenda ose 200 jashtë.

Kjo ishte e papritur për teatrot e Nju Jorkut dhe shumë prej tyre nuk do të jenë në gjendje të përfitojnë nga heqja e kufizimeve deri në verë ose në vjeshtë.

“Kjo datë është shumë e shpejt për shumicën e teatrove. Artistët tanë nuk janë vaksinuar. Ne nuk kemi fonde për të marrë masat e nevojshme për një rihapje të sigurt të teatrove për audiencën dhe artisët tanë. Artistët duhet të bëjnë prova”, thotë drejtorja Artistike e Qendrës së Arteve HERE.

Heqja e fundit e kufizimeve është mirëpritur nga shumë njujorkezë.

Megjithatë, duke marrë parasysh rregullat e shumta, do të duhet endekohë që shumë organizata të përfitojnë plotësisht nga ndryshimi, ndërsa qyteti vazhdon rrugën e rikthimit tek normaliteti./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme