Protestat në mbështetje të palestinezëve në universitetet amerikane nuk treguan ndonjë shenjë ngadalësimi ndërsa u zgjeruan në mbarë vendin gjatë fundjavës. Ndërhyrjet e policisë dhe arrestimet vazhduan ndërsa studentët zotohen të vazhdojnë të qëndrojnë në tenda derisa të miratohen kërkesat e tyre.
Ndër kërkesat e studentëve janë që nga vendosja e një armëpushimi në luftën e Izraelit me Hamasin, thirrjet për universitetet që të shkëputen nga bizneset izraelite të përfshira me aktivitetet ushtarake dhe deri tek dhënia fund e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin.
Protestat në mbështetje të palestinezëve u përhapën në kampuset universitare në Shtetet e Bashkuara pas arrestimit të mbi 100 personave në Universitetin e Kolumbias një javë më parë.
Një zëdhënës i këtij universiteti i tha agjencisë së lajmeve Reuters se kampusi ishte i qetë të shtunën dhe nuk pati raportime për arrestime apo trazira gjatë fundjavës.
Por, operacionet e policisë vazhduan të shtunën në kampuset universitare, si në Universitetin e Kalifornisë së Jugut (USC). Mbi 200 persona u arrestuan në disa universitete, përfshirë 80 të arrestuar në orët e vona të së shtunës në Universitetin e Uashingtonit në St. Louis. Ndër të arrestuarit ishte edhe kandidatja për presidente e Partisë së Gjelbër, Jill Stein. Të dielën priteshin demostrata nga dy palët në Universitetin e Kalifornisë së Jugut, në Los Anxhelos.
Anëtarët e Qendrës Harriet Tubman për Drejtësinë Sociale do të mbështesin të drejtën e studentëve për të protestuar, ndërkohë që një grup i quajtur “Qëndroni me Ne” do të organizojë një tubim në mbështetje të studentëve hebrenj dhe kundër antisemitizmit.
Protestat mbarëkombëtare kanë tërhequr vëmendjen e presidentit Joe Biden.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, i tha kanalit televiziv ABC News të dielën se presidenti e di që ekzistojnë ndjenja shumë të forta për luftën në Gazë.
“Ai e kupton; ai e respekton këtë dhe siç e kemi thënë disa herë, ne sigurisht respektojmë të drejtën e protestës paqësore”, tha zoti Kirby. “Njerëzit duhet të kenë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të ndajnë publikisht qëndrimet e tyre, por kjo duhet të jetë paqësore”.
Kirby shtoi se presidenti dënon antisemitizmin dhe gjuhën e urrejtjes./voa
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...