Vazhdojnë protestat në Bjellorusi

19:22 | 26 Shtator 2020
Arbresh.info

Në Bjellorusi po vazhdojnë protestat kundër Alyaksandr Lukashenka, i cili pretendon se ka fituar zgjedhjet presidenciale, të mbajtura më shumë se një muaj më parë.

Gratë u mblodhën në qendër të kryeqytetit bjellorus, Minsk më 26 shtator, duke mbajtur në duar lule dhe marshuan përmes rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë raportoi se policia arrestoi të pakën dhjetë gra.

Në mesin e personave që janë arrestuar nga policia është edhe Nina Bahinskaya, një 73-vjeçare, e cila ka qenë pjesëmarrëse e rregullt e protestave kundër Lukashenkës.

Protesta janë raportuar se po mbahen edhe në qytete të tjera të Bjellorusisë.

Protestat vijnë pasi Lukashenka më 23 shtator mbajti një inaugurim sekret në Minsk.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se nuk do ta njohin Lukashenkan, i cili mori pushtetin më 1994, si lider legjitim i Bjellorusisë.

Svyatlana Tsikhanouskaya, që tashmë gjendet në Lituani, u ka bërë thirrje bjellorusëve që të protestojnë për zgjedhje të lira, që më pas do të rezultonin në një inaugurim të ligjshëm.

Tsikhanouskaya ka qenë kandidate në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit dhe ka thënë se ajo ka fituar 60 deri në 70 për qind të votave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme