Hetuesit vazhduan të kërkonin në rrënojat e një avioni privat që i përkiste grupit Wagner qysh në orët e hershme të mëngjesit së 24 gushtit, pasi ai u rrëzua një ditë më parë gjatë rrugës për në Shën Petersburg nga Moska, duke mos lënë asnjë të mbijetuar në listën e pasagjerëve.
Në ekuipazh besohet se ishte edhe lideri i mercenarëve privatë, Yevgeny Prigozhin, i cili saktësisht dy muaj më parë udhëhoqi një rebelim të shkurtër kundër liderëve të lartë të ushtrisë ruse.
Gjurmuesi në internet i fluturimeve, Flightrader24, tregoi një avion brazilian Embraer 600 të regjistruar në emrin e grupit Wagner duke u zhdukur nga radarët herët në mbrëmjen e 23 gushtit.
Menjëherë pas kësaj, u shfaqën video në rrjete sociale, ku shihej një aeroplan duke rënë nga qielli në një zonë rreth 300 kilometra në veri të Moskës, që përkonte me vendndodhjen e zhdukjes së avionit.
Agjencia Federale për Transportin Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya) tha se “sipas listës së pasagjerëve, emri dhe mbiemri i Yevgeny Prigozhiniy ishte” në fluturimin që u rrëzua në veri të Moskës.
Zyrtarët e shërbimeve të urgjencës, të cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti, thanë se trupat e tetë personave ishin gjetur në rrënojat deri më tani, por nuk kishte asnjë informacion nëse ndonjë prej trupave ishte identifikuar dhe nuk kishte konfirmim se Prigozhin ishte në bord.
Komandanti dhe bashkëthemeluesi i Wagnerit, Dmitry Utkin, u rendit gjithashtu në mesin e shtatë pasagjerëve në avion, tha autoriteti i aviacionit, duke cituar linjën ajrore. Dy pilotë dhe një stjuardesë ishin gjithashtu në bordin e avionit, tha autoriteti i aviacionit, duke shtuar se një hetim për incidentin ka nisur.
Nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Kremlini apo Ministria e Mbrojtjes se Prigozhini dhe Utkini vdiqën, por një kanal i lidhur me Wagnerin në platformën Telegram e shpalli atë të vdekur.
Kanali Gray Zone (“Zona gri” në shqip) e shpalli Prigozhin një hero dhe një patriot për të cilin tha se kishte vdekur në duart e njerëzve të paidentifikuar që i quajti “tradhtarë të Rusisë”.
Gray Zone raportoi gjithashtu se një tjetër avion privat në pronësi të Prigozhinit u ul i sigurt në rajonin e Moskës. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta verifikojë këtë informacion në mënyrë të pavarur.
Një ndërtesë në Shën Petersubrg, ku ndodhen zyrat e Wagnerit, ndezi dritat nëpër disa ndërtesa gjatë natës për ta formuar një kryq gjigant, ndërsa disa njerëz u ndalën pranë ndërtesës për të lënë lule dhe për të ndezur qirinj.
“Komisioni i Agjencisë Federale të Transportit Ajror po fillon veprimet fillestare në vendngjarje, si dhe ka filluar mbledhjen e materialeve faktike për trajnimin e ekuipazhit, gjendjen teknike të avionit, situatën meteorologjike në rrugën e fluturimit dhe gjendjen e pajisjeve radio-tokësore”, thuhet në një deklaratë të autoritetit të aviacionit.
Një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, Prigozhin udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër më 24 qershor, kur luftëtarët e Wagnerit pushtuan qytetin jugor të Rostov-mbi-Don dhe marshuan deri në 200 kilometra larg Moskës. Një avion ushtarak rus u rrëzua gjatë kryengritjes dhe gjithsej 13 trupa të Forcave Ajrore ruse u vranë. Kjo cilësohet si sfida më serioze për Putinin në më shumë se dy dekadat e tij në pushtet.
Prigozhin nuk u arrestua apo burgos në atë kohë, por Putin e denoncoi kryengritjen si një “thikë pas shpine” dhe u zotua se do t’i ndëshkojë të gjithë “tradhtarët” e përfshirë.
“Nuk ka gjasa që dikush të mendojë se kjo është një rastësi. Thjesht ndodh që kundërshtarët politikë të cilët Vladimir Putin i konsideron si kërcënim për pushtetin e tij nuk vdesin natyrshëm”, tha ministri i jashtëm polak Zbigniew Rau.
Nëse zbulohet se Prigozhin ka vdekur gjatë fluturimit, kjo do të ishte një goditje e rëndë për grupin Wagner, i cili ishte kyç në betejën e Rusisë për ta marrë qytetin ukrainas të Bakhmut në fillim të këtij viti.
Ushtarët e Wagnerit janë të vendosur gjithashtu në Siri, ku Rusia mbështet qeverinë e presidentit Bashar Assad në një luftë civile, dhe në Libi, ku ata luftuan përkrah forcave të komandantit Khalifa Hifter. Grupi ka vepruar gjithashtu në Republikën e Afrikës Qendrore dhe në Mali.
Vendndodhja e shefit të Wagnerit ka qenë kryesisht një mister që nga rebelimi. Ai u shfaq në videon e tij të parë që nga rebelimi në fillim të kësaj jave. Në videon që besohet të jetë xhiruar në Afrikë dhe të publikuar më 21 gusht në kanalet e Telegram të lidhura me grupin Wagner, Prigozhin shihet duke qëndruar në një zonë shkretëtire me veshje ushtarake dhe me një pushkë në duar.
Më parë ai besohej se po lëvizte nëpër Rusi dhe Bjellorusi, ku trupat e Wagnerit kanë ngritur kampe për t’i trajnuar forcat e armatosura bjelloruse si pjesë e një marrëveshjeje të negociuar që ndihmoi në përfundimin e rebelimit.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se ai “nuk ishte i befasuar” nga lajmet se Prigozhin mund të kishte vdekur në rrëzimin e avionit.
“Unë nuk e di se çfarë ndodhi faktikisht, por nuk jam i befasuar”, tha Biden, duke shtuar se “nuk ka shumë gjëra që ndodhin në Rusi, prapa të cilavë nuk është Putini. Por, unë nuk di mjaftueshëm për ta ditur përgjigjur”.
Kryengritja e Wagnerit erdhi pas disa muajsh konfrontimesh intensive publike me udhëheqjen ushtarake të Rusisë mbi strategjinë e luftës në Ukrainë dhe furnizimet me municione.
Kreu i Agjencisë Qendrore t Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, tha muajin e kaluar se Putini mund të kërkojë hakmarrje ndaj Prigozhinit.
“Putini është apostulli i fundit i shpagimit”, tha ai, duke folur më 20 korrik në Forumin e Sigurisë në Aspen.
Ai tha se do të habitej nëse Prigozhini do t’i shpëtonte ndëshkimit të mëtejshëm.
“Pra, në këtë kuptim, Biden ka të drejtë. po të isha Prigozhin, nuk do ta pushoja nga puna shijuesin tim të ushqimit”, shtoi Burns, duke iu referuar një shakaje nga Biden në fillim të kësaj jave se nëse ai do të ishte Prigozhin, “do të kisha kujdes se çfarë haja”.
Më herët, më 23 gusht, RIA Novosti dhe media të tjera raportuan se gjenerali Sergei Surovikin, një oficer i lartë rus që ka lidhje me Prigzohinin, ishte liruar nga komanda e Forcave Ajrore të Rusisë.
Raportet treguan se Surovikin nuk ishte pushuar nga puna, as u degradua, as u burgos siç kishin pritur disa vëzhgues në vazhdën e rebelimit të qershorit.
Surovikin do të zëvendësohet përkohësisht si komandant i Forcave Ajrore nga gjenerali Viktor Aflazov, sipas RIA Novosti. Aflazov mbikëqyri forcat ajrore vitin e kaluar kur Surovikin u vu në krye të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...