Greqia dhe Qiproja filluan të mërkurën (26.08) së bashku me Francën dhe Italinë një manovër të gjerë ushtarake në ajër dhe në det. Kurse Turqia kreu po ashtu një stërvitje detare në Mesdheun lindor së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi në Twitter se anijet luftarake turke TCG Barbaros dhe TCG Burgazada dhe destrojeri amerikan USS Winston S. Churchill zhvilluan një manovër të përbashkët. Kurse në manovrën në Qipro po marrin pjesë përveç tre avionëve luftarakë grekë F-16, tre avionë luftarakë francezë të tipit Rafale, një fregatë dhe një helikopter. Avionët operojnë nga aeroporti Paphos në Qipron perëndimore.
Mosmarrëveshja konsiderohet si tejet e rrezikshme. Dhe madje i mundur duket edhe një konflikt ushtarak midis dy aleatëve të NATO-s, pas një përplasje midis një anijeje luftarake turke dhe greke.
Kritika nga Ministrja gjermane e Mbrojtjes
Ministrja Federale e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, i kritikoi pas takimit me homologët e saj të BE në Berlin manovrat ushtarake. Ato janë “gjithçka tjetër përveçse të dobishme” – tha ajo duke iu referuar rrezikut që stërvitjet ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s “mund të çojnë pa dashje në një përshkallëzim të mundshëm të gjendjes”.
Kramp-Karrenbauer, e cila është edhe kryetare e CDU-së, kërkoi edhe një herë gatishmëri për kompromis nga të dy palët. “Ne duhet të gjejmë një pikë nga ku t’u rikthehemi bisedimeve dhe negociatave politike,” tha Kramp-Karrenbauer. Ministrja e Mbrojtjes theksoi gjithashtu se në një konflikt kaq të komplikuar është i nevojshëm “një durim strategjik për një zgjidhje politike të konfliktit.”
Greqia miraton marrëveshje me Italinë dhe Egjiptin
Parlamenti grek miratoi me shumicë po ashtu të mërkurën në mbrëmje dy marrëveshje për krijimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike (EEZ) me fqinjët e saj mesdhetarë Italinë dhe Egjiptin. Me këto dy marrëveshje të tre shtetet u njohin ishujve grekë të drejtën e përkatësisë territoriale të një zone detare përreth tyre si dhe shfrytëzimin e tyre si zonë ekonomike.
Simeone trajneri i muajit në La Liga
ShBA e shqetësuar që KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...