Varreza për emigrantët e mbytur në Kalabri, do mbajë emrin e Aylan

00:24 | 19 Prill 2017
Trina Galanxhi

Në rajonin e Kalabrisë në Itali do të ndërtohet Varreza Ndërkombëtare e Emigrantëve. Kjo varrezë do të mbaj emrin e “Aylan Kurdi”, vogëlushit sirian i gjetur i mbytur në brigjet e Turqisë, imazhet e të cilit tronditën botën.

Në komunën Tarsia të provincës së Kozencës do të ngrihet monumenti më i madh në qiell të hapur dedikuar tragjedisë së emigrantëve, ku do të varrosen e do të gjejnë paqen e përjetshme, trupat e emigrantëve të paidentifikuar e të mbytur në Mesdhe në tentativën e tyre për të mbërritur në Itali.

Ngritja e kësaj varreze është një ide e Lëvizjes “Të drejtat civile” e kryetari i saj Franco Corbelli, njëkohësisht dhe promotor i kësaj iniciative në një deklaratë për mediat ka deklaruar se “më në fund pas një beteje prej 3 vitesh e gjysëm, nisur pas tragjedisë së Lampeduzës më 3 tetor të 2013, arritëm një fitore historike civile, ngritjen e Varrezës Ndërkombëtare të Emigrantëve, një vepër e madhe humanitare për t’i dhënë dinjitetin e vdekjes emigrantëve viktima të tragjedive të detit, për t’i kujtuar brezave të ardhshme tragjedinë e sotme të emigracionit si dhe për të qënë një vend monumental reflektimi e kujtese për botën.”

Ky projekt është realizuar falë impenjimit të provincës së Kozencës e territori i ngritjes së varrezës është dhuruar nga komuna Tarsia, në një zonë mjaft simbolike e rrethuar nga pemët, ullinjve e selvitë.

Varreza Ndërkombëtare e Emigrantëve do të shtrihet në një sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorë, e arkitektët e saj Fernando Miglietta e Donato D’Anzieuar kanë parashikuar realizimin e disa sheshëve e rrugëve nën emrat si “Sheshi i Paqes”, “Sheshi i Kujtimeve”, “Rruga e Ullive”, apo “Rruga e shikimeve” e përbërë nga dy çezma në formë syri që simbolizojnë tragjedinë e emigrantëve si dhe dramën e tyre të përshkruar në vështrimin plot vuajtje e dhimbje.

Varreza Ndërkombëtare e Emigrantëe do të mbajë emrin e Aylan Kurdi, vogëlushit sirian, gjetur i mbytur në brigjet e Turqisë, imazhet e të cilit tronditën botën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme