Google ADS

Vaksina Pfizer, vendet e pasura tashmë kanë blerë mbi 80% të vaksinës

12:34 | 12 Nëntor 2020
Arbresh.info

Analiza e lëvizjes “Global Justice Now” tregon se mbi 1 miliard doza janë blerë nga qeveritë e pasura, të cilat përfaqësojnë vetëm 14 për qind të popullsisë globale.

Sipas një analize nga një grup fushate me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 80 për qind e vaksinës së kompanisë farmaceutike amerikane “Pfizer” tashmë u është shitur qeverive më të pasura në të gjithë botën.

Analiza e lëvizjes “Global Justice Now” (Drejtësia Globale Tani) tregon se mbi 1 miliard doza janë blerë nga qeveritë e pasura, të cilat përfaqësojnë vetëm 14 për qind të popullsisë globale.

Blerjet e mëdha përfshijnë Bashkimin Evropian (BE) me 200 milionë doza me një mundësi për të blerë 100 milionë të tjera, Mbretëria e Bashkuar me 40 milionë doza dhe SHBA me 100 milionë doza me një mundësi për 500 milionë të tjera.

Të hënën, kompania Pfizer njoftoi se vaksina është më shumë se 90 për qind efektive në parandalimin e virusit COVID-19, duke rritur shpresat në luftimin e pandemisë.

Kompania njoftoi se deri në fund të vitit 2021 do të prodhojë 1,3 miliard doza të vaksinës së saj, të prodhuar në partneritet me kompaninë gjermane BioNTech.

“Pfizer duket se do t’u ofrojë disa doza vendeve në zhvillim në javët e ardhshme përmes qasjes globale ‘COVAX Facility’, por këto duket se përfaqësojnë një pjesë të vogël të vaksinave të prodhuara”, tha Global Justice Now.

Analiza po ashtu sugjeroi se përderisa promovojnë shpërndarjen e drejtë të vaksinave të prodhuara, vendet e mëdha po ashtu minojnë këto skema duke blerë shumë prej tyre.

“Nga njëra anë, qeveria britanike po ndihmon në kufizimin e furnizimit të këtyre ilaçeve duke këmbëngulur në rregullat globale të patentave që parandalojnë vendet të prodhojnë vaksinat e tyre gjenerike. Nga ana tjetër, po blen sa më shumë furnizim të kufizuar që mundet, kështu që nuk ka mbetur asnjë vaksinë për vendet në zhvillim”, tha Nick Dearden, drejtor i Global Justice Now.

“Ju nuk mund të keni një shembull më të qartë sa i pabarabartë është sistemi farmaceutik, disa bëjnë miliarda paund, ndërsa shumë të tjerë vdesin sepse nuk kanë mundësi trajtimi ose nuk mbeten doza për të blerë. Kjo duhet të ndryshojë”, theksoi Dearden.

Ai po ashtu tha se “nëse nuk ndërpresim kapjen për fyti nga këto korporata masive mbi ilaçet tona, padrejtësia do të vazhdojë”.

“Është e domosdoshme që ne t’i japim fund nacionalizmit të vaksinave dhe që furnizimi i mjaftueshëm të vihet në dispozicion për të gjithë, mbi një bazë të drejtë, si një urgjencë. Kjo mund të ndihmohet duke mbështetur qeveritë, si Afrikën e Jugut dhe Indinë, që po përpiqen të pezullojnë rregullat e pronësisë intelektuale në OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) gjatë kësaj emergjence globale”, deklaroi Dearden./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme