Vaksina e kompanisë Novavax nxit prodhimin e antitrupave kundër COVID-19

10:02 | 5 Gusht 2020
Arbresh.info

Kompania amerikane, Novavax, njoftoi se vaksina e saj eksperimentale kundër COVID-19, ka nxitur një përgjigje të fortë të imunitetit, duke prodhuar më shumë antitrupa, sesa janë të pranishëm në pacientët e shëruar.

Antitrupat janë proteina të sistemit imunitar në trupin e njeriut që luftojnë infeksionet.

Pas dozës së parë, të gjithë subjektet që morën vaksinën zhvilluan, antitrupa që bllokojnë virusin SARS-CoV-2, për tu lidhur në qelizat njerëzore.

Shumica e personave gjithashtu zhvilluan “antitrupa neutralizues” të cilët janë më të fuqishëm dhe parandalojnë viruset të infektojnë qelizat.

Pas një doze të dytë, të dhënë 28 ditë më vonë, të gjithë pjesëmarrësit kishin antitrupa neutralizues më të fuqishëm.

Kompania tha se efektet anësore përgjithësisht ishin të lehta, raporton AFP.

Faza e fundit e provës është vendosur të zhvillohet këtë vjeshtë.

Qeveria amerikane i ka dhënë kompanisë 1.6 miliard dollarë për të zhvilluar vaksinën, por sa i takon afatit kohor, kjo kompani është prapa firmave të tjera, përfshirë Moderna dhe AstraZeneca, të cilat kanë hyrë në fazat e fundit të provave të tyre.

Kompania thotë se ilaçi, i cili është një përbërje e lëngshme, mund të ruhet në dy deri në tetë gradë celsius.

Në pranverë, kompania tha se kishte provuar efikasitetin e një vaksine kundër gripit sezonal që e kishte zhvilluar duke përdorur të njëjtën teknologji./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme