Kina ka dislokuar avionë luftarakë dhe luftanije për të rrethuara Tajvanin, në stërvitjet ushtarake që Pekini tha se synojnë të dërgojnë “një paralajmërim të ashpër” ndaj forcave “separatiste” në ishullin vetëqeverisës.
Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të marrë nën kontroll Tajvanin dhe stërvitjet e 14 tetorit janë rundi i katërt i stërvitjeve të mëdha ushtarake që Kina ka mbajtur në dy vjetët e fundit.
Shtetet e Bashkuara thanë se veprimet e Kinës ishin “të paparalajmëruara” dhe rrezikonin “përshkallëzim”. Uashingtoni i bëri thirrje Pekinit që të përmbahet.
Presidenti tajvanez, Lai Ching-te, që mori detyrën në maj, ka qenë më i zëshëm se paraardhësja e tij, Tsai Ing-wen, në mbrojtjen e sovranitetit të Tajvanit, duke zemëruar Pekinin, i cili e cilëson atë si “separatist”.
Lai u zotua të hënën për “mbrojtjen e Tajvanit demokratik, mbrojtjen e sigurisë kombëtare”, ndërkaq Ministria e Mbrojtjes tha se ka dislokuar “forcat e nevojshme” në përgjigje të stërvitjeve të Kinës.
Në afërsi të bazës ajrore Hsinçu, në veri të Tajvanit, janë parë 12 avionë luftarakë duke u ngritur në qiell.
Ishujt në periferi të Tajvanit, që administrohen nga Tajpej, ishin në “gatishmëri të lartë” dhe “avionët dhe anijet do të përgjigjen ndaj armikut në përgjigje me rregullat” tha Ministra e Mbrojtjes e Tajvanit.
Pekini tha se stërvitjet e tij shërbejnë si “paralajmërim i ashpër ndaj veprimeve separatiste të forcave të ‘pavarësisë së Tajvanit’”.
Stërvitjet synojnë testimin e trupave “për aftësitë e operacioneve të përbashkëta”, tha zëdhënësi i ushtrisë kineze, Li Xi.
Ato po mbahen “në zonat në veri, jug dhe lindje të ishullit të Tajvanit”, tha ai.
Ushtria kineze tha se stërvitjet janë të përqendruara në gatishmërinë e luftimeve në ajër dhe të patrullimeve, si dhe në bllokimin e porteve kyçe. Ato po ashtu po mbahen për të praktikuar “sulmet ndaj caqeve detare dhe tokësore”.
Media shtetërore kineze tha se avionët luftarakë dhe luftanijet janë dislokuar për këto stërvitje. Gjatë këtyre stërvitjeve janë aktivizuar edhe rojet bregdetare të Kinës për të kryer “inspektime” përreth ishullit”.
Sipas një diagrami të publikuar, rojet bregdetare me katër flota kanë rrethuar Tajvanin dhe po lëvizin përreth ishullit në drejtimin e kundërt të akrepave të orës.
Tajvani tha se katër “formacione” të anijeve të rojeve bregdetare të Kinës po patrullonin përreth ishullit, por ato nuk kishin hyrë në ujërat e ndaluara.
Në vitet e fundit, Kina ka rritur aktivitetin ushtarak përreth Tajvanit, duke dërguar avionë luftarakë, ndërkaq luftanijet e saj kanë prani pothuajse të përhershme përreth ujërave të ishullit.
Pekini tha se stërvitjet e së hënës “janë legjitime dhe të nevojshme për të ruajtur sovranitetin dhe unitetin kombëtar”.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit, tha të hënën se 25 avionë ushtarakë të Kinës dhe shtatë anije të marinës janë detektuar përreth ishullit në 26 orët e fundit./rel
100 mijë euro këshilltarit, nënkryetari i të rinjve të AAK-s...
Kumbaro: Shqipëria në syrin e Condé Nast Traveller është des...
Kosova vazhdon stërvitjet për dy sfidat e nëntorit
Daut Haradinaj: Kurti po injoron shkeljen e të drejtave të s...
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...
Rritet numri i të vrarëve në sulmin rus në Odesa