Ushtria izraelite tha të mërkurën se ka vrarë rreth 90 persona të armatosur dhe ka arrestuar 160 veta, gjatë një operacioni në spitalin Shifa në Rripin e Gazës.
Al Shifa, spitali më i madh i Rripit të Gazës para luftës, tani është një nga komplekset e pakta të kujdesit shëndetësor që është pjesërisht funksional në veri të territorit, dhe gjithashtu strehë e civilëve të zhvendosur.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se trupat e saj “kanë eliminuar terroristët dhe kanë gjetur armë në zonën e spitalit, duke parandaluar dëmet mbi civilët, pacientët, ekipet dhe pajisjet mjekësore”.
Operacioni i Izraelit në spital filloi në orët e para të së hënës. Ushtria tha se dërgoi forcat e posaçme të mbështetura nga këmbësoria dhe tanket, pas të dhënave të shërbimit të zbulimit, sipas të cilave, spitali po shfrytëzohej sërish nga persona të armatosur.
Izraeli u përball me kritika të ashpra nëntorin e kaluar kur trupat sulmuan për herë të parë spitalin Shifa. Trupat zbuluan tunele atje, të cilat sipas tyre ishin përdorur si qendra komandimi dhe kontrolli nga Hamasi. Grupi militant dhe personeli mjekësor mohojnë se spitali është përdorur për qëllime ushtarake ose për të strehuar luftëtarët.
Zyra për media e Hamasit tha se të gjithë të vrarët gjatë sulmit ishin civilë. Por shtimi i luftimeve në qytetin e Gazës flet për praninë e vazhdueshme të Hamasit në Gazën veriore, disa muaj pasi trupat tokësore izraelite pretenduan se kishin vënë zonën në kontroll.
Izraeli nisi sulmin e tij në Gaza duke u zotuar të shkatërrojë Hamasin pas sulmit të grupit në jug të Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë rreth 1,200 veta dhe 250 u morën peng. Besohet se Hamasi ende mban rreth 100 pengje, si dhe trupat e 30 të tjerëve, pasi pjesa tjetër u lirua gjatë një armëpushimi vitin e kaluar.
Më shumë se 31,800 palestinezë janë vrarë që atëherë sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Pjesa më e madhe e Gazës veriore është rrafshuar me tokën dhe punonjësit humanitarë ndërkombëtarë paralajmëruan të hënën se 70 për qind e banorëve atje po përjetojnë uri katastrofike.
Kaosi në veri shpërtheu pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti vendosmërinë e tij për të pushtuar qytetin më jugor të Gazës, Rafah, një nga qytetet e fundit të mëdha, që nuk u vu në shënjestër nga një sulm tokësor.
Në një bisedë telefonike të hënën, presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi kryeministrit Netanyahu të mos ndërmarr një operacion në Rafah, duke kërkuar “një qasje alternative”./euronews.al
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...