Google ADS

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë dy palestinezë në Bregun Perëndimor

11:43 | 31 Gusht 2024
E.K

Ushtria izraelite tha më 31 gusht se dy palestinezë janë vrarë gjatë natës teksa po përgatisnin të kryenin sulme në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Sipas ushtrisë izraelite, një person u vra pasi u infiltrua në një vendbanim izraelit, ndërkaq një tjetër qëlloi drejt ushtarëve pasi makina e tij shpërtheu.

“Terroristët tentuan të kalonin rojet e sigurisë në hyrjen e komunitetit Karmei Tzur dhe u infiltruan në komunitet”, tha ushtria izraelite, duke iu referuar një vendbanimi izraelit.

Ushtria tha se ushtarët arritën në vendin e ngjarjes dhe vranë një sulmues i cili hapi zjarr ndaj tyre. Autoritetet thanë se po kërkojnë edhe persona të tjerë.

Në një incident tjetër, një makinë u përfshi nga zjarri dhe më pas shpërtheu, tha ushtria.

Izraeli tha se forcat e tij “qëlluan dhe eliminuan një terrorist i cili doli nga makina dhe tentoi t’i sulmonte” ushtarët izraelitë.

Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 31 gusht lëshoi një deklaratë përmes së cilës lavdëroi atë që e cilësoi si “operacion të dyfishtë heroik” në Bregun Perëndimor. Sipas grupit radikal palestinez, “ky është mesazh i qartë se rezistenca do të vazhdojë çër aq kohë sa agresioni brutali i okupimit dhe shënjestrimi i njerëzve tanë dhe tokës tonë do të vazhdojë”.

Dhuna në Bregun Perëndimor është përshkallëzuar së fundi, teksa ushtria izraelite ka intensifikuar bastisjet dhe kolonët kanë vazhduar përleshjet e palestinezët.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen. Tre milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez, që mbështetet nga Perëndimi, ka kontroll të kufizuar në qendrat e populluara.

Më shumë se 500.000 kolonë hebre, që jetojnë në vendbanime të ndërtuara në mbarë territorin të cilat konsiderohen nga shumica e komunitetit ndërkombëtar si të paligjshme, kanë shtetësi izraelite./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme