Google ADS

Ushtria izraelite ndërhyn në protestat në Bregun Perëndimor kundër planit amerikan

16:41 | 14 Shkurt 2020
Arbresh.info

Forcat izraelite kanë ndërhyrë në protestat që sot u organizuan në Bregun Perëndimor të pushtuar kundër të ashtuquajturit plan i paqes për Lindjen e Mesme të shpalosur nga presidenti amerikan Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Palestinezët u mblodhën pas namazit të xhumasë për të protestuar në shumë vende të ndryshme të rajonit të pushtuar, përfshirë disa zona të qyteteve Ramallah dhe El-Halil (Hebron), ku u përballën me ndërhyrjen e forcave izraelite, të cilat përdorën gaz lotsjellës, plumba plastike dhe shok-bomba.

Nga ana tjetër, protestuesit palestinez u kundërpërgjigjën me hedhje gurësh.

Shumë palestinezë janë prekur nga gazi i hedhur gjatë intervenimit nga ana e ushtarëve izraelitë.

Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Sipas planit, i quajtur nga Trump si “Marrëveshja e Shekullit”, SHBA po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.

Gjatë shpalosjes së planit, Trump pohoi se ky është “shansi i fundit” për palestinezët për të pasur një shtet të pavarur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme