Ushtria e Tajvanit në gatishmëri të lartë ndërsa Kina nis stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë rreth ishullit

08:06 | 14 Tetor 2024
Q L

Kina ka nisur stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë rreth Tajvanit duke simuluar sulme ndaj objektivave detare dhe tokësore.

“Stërvitjet do të testojnë aftësitë e operacioneve të përbashkëta të Komandës së Teatrit Lindor të ushtrisë kineze dhe do të shërbejnë si një paralajmërim i ashpër për aktet separatiste të forcave të pavarësisë së Tajvanit”, tha zëdhënësi i komandës, Li Xi.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka “dënuar një sjellje të tillë irracionale dhe provokuese”, duke shtuar se kishte dërguar trupa për t’iu përgjigjur dhe mbrojtur Tajvanin.

Sipas një deklarate nga zyra presidenciale e Tajvanit, Lai Ching-te ka organizuar një takim të sigurisë kombëtare për të diskutuar përgjigjen e Tajvanit në këtë rast.

“SHBA është seriozisht e shqetësuar”, tha në një deklaratë Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, duke shtuar se “provokimet e Kinës rrezikojnë përshkallëzimin”.

Megjithatë, stërvitjet nuk ishin të papritura, shkruan the Washington Post.

Megjithëse analistët e karakterizuan fjalimin e Lait javën e kaluar si relativisht të përmbajtur, ka pasur një pritshmëri në rritje që Kina do ta përdorte këtë si një katalizator për të nisur më shumë stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, siç ka bërë gjatë momenteve të tjera të ndjeshme politike.

Në maj, pas inaugurimit të Lait, Kina nisi stërvitjet ushtarake në shkallë të gjerë si “ndëshkim për aktet separatiste”, duke i quajtur stërvitjet “Shpata e përbashkët 2024-A”.

Kategorizimi “A” ngriti spektrin se do të kishte një vazhdim “B” disa herë këtë vit.

Komanda e Teatrit Lindor, pjesa e ushtrisë kineze që mbikëqyr një zonë duke përfshirë Tajvanin, tha se stërvitjet “Shpata e Përbashkët 2024B” përfshijnë një breshëri anijesh dhe aeroplanësh “në afërsi dhe nga drejtime të ndryshme” me Tajvanin./telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme