Një ushtar libanez u vra dhe tre të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi izraelit në afërsi të një fshati në jug të Libanit, pranë kufirit me Izraelit, njoftoi ushtria libaneze të martën.
Ky është ushtari i parë i vrarë libanez prej se nisën konfrontimet në kufi në tetor.
Në kufirin mes Libanit dhe Izraelit ka pasur rritje të madhe të shkëmbimit të zjarrit prej se nisi lufta mes Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA e BE – dhe Izraelit më 7 tetor.
Në konfrontime kufitare me Izraelin është i përfshirë kryesisht Hezbollahu, grupi i mbështetur nga Irani, gjë që ka nxitur frikë për zgjerimin e konfliktit në rajon.
“Një pozicion ushtarak i ushtrisë në… zonën Adaysseh u bombardua nga armiku izraelit, duke e lënë martir një ushtar dhe duke i plagosur tre të tjerë”, tha ushtria e Libanit në një komunikatë.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi të martën se ushtria izraelite kreu sulme ajrore në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu – po ashtu i shpallur organizatë terroriste nga SHBA – tha se kreu disa sulme ndaj trupave dhe pozicioneve izraelite.
Gjashtë ushtarë dhe tre civilë janë vrarë në Izrael nga sulmet e Hezbollahut kohëve të fundit, sipas autoriteteve izraelite.
Hezbollahu thotë se po kryen sulme ndaj Izraelit për ta mbështetur Hamasin, pasi grupi radikal kreu sulm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer rreth 240 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelit.
Si përgjigje, Izraelit është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin dhe prej atëherë është duke e bombarduar nga ajri dhe toka Rripin e Gazës, ku janë vrarë mbi 15.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së udhëhequr nga Hamasi./rel
Ukraina dërgon 500 tonë miell në Siri
La Liga refuzoi të regjistrojë Olmon, largimi i yllit spanjo...
Osmani pret Hovenier për takim lamtumirës në Presidencë
Osmani dekreton 24 prokuororë të rinj
Mbyllet edhe një institucion paralel në veri të Kosovës
Qeveria ka mbajtur dje mbledhje elektronike, njofton për ven...