Ushtria amerikane konfirmon rrëzimin e aeroplanit të vet në Afganistan

10:39 | 28 Janar 2020
Arbresh.info

Ushtria amerikane konfirmoi të hënën se një aeroplan i tipit E-11A është rrëzuar në provincën Ghazni të Afganistanit.

Megjithatë, ushtria tha se nuk ka shenja që aeroplani është rrëzuar nga sulmet e armikut, edhe pse talibanët pretenduan se ata e kanë rrëzuar këtë aeroplan.

“Pretendimet e talibanëve se e kanë rrëzuar aeroplanin janë të pasakta”, tha zëdhënësi i ushtrisë amerikane, Sonny Leggett.

Në anën tjetër, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se nga rrëzimi i këtij aeroplani janë vrarë disa amerikanë. Vendi i rrëzimit të aeroplanit ishte rreth dhjetë kilometra larg një baze ushtarake amerikane.

Zyrtarët e lartë afganë thanë se autoritetet po mundohen ta përcaktojnë lokacionin e saktë të aeroplanit të rrëzuar në zonën malore, e cila kontrollohet pjesërisht nga talibanët.

Ndryshe, talibanët e kontrollojnë një pjesë të madhe të provincës Ghazni dhe pothuajse gjysmën e territorit të Afganistanit. Ky grup shpesh jep shifra të fryra për viktimat e sulmeve që i kryen, shkruan “France24”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme