Ushtria amerikane e vret liderin e një milicie të mbështetur nga Irani në Bagdad

10:04 | 8 Shkurt 2024
E.K

Një komandant i lartë i milicisë së mbështetur nga Irani, Kataib Hezbollah, është vrarë nga një sulm amerikan me dron në Bagdad të mërkurën mbrëma, njoftoi ushtria amerikane.

Lideri i Kataib Hezbollahut dhe dy roje të tij ishin në veturë kur ajo u godit nga një dron në lindje të kryeqytetit irakian.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se ky komandant ishte përgjegjës për udhëheqjen e sulmeve ndaj trupave amerikane në rajon.

Në një komunikatë për media, Komanda Qendrore e SHBA-së tha se “nuk ka indikacione për dëme kolaterale, apo për viktima civile”.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara “nuk do të ngurrojnë t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që e kërcënojnë sigurinë e forcave tona”.

Sulmi – i cili ndodhi në orën 21:30 në Bagdad – ka shumë mundësi t’i tensionojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Bagdadit.

Sulmi ndodhi dy ditë pasi ushtria amerikane kreu sulme ajrore ndaj dhjetëra caqeve në Irak dhe në Siri, të cilat përdoren nga milicitë e mbështetura nga Irani dhe nga Garda Revolucionare e Iranit.

Ushtria amerikane po i kryen këto sulme në rajon si hakmarrje ndaj një sulmi me dron i cili i vrau tre ushtarë amerikanë dhe i plagosi mbi 40 të tjerë në një bazë amerikane në Jordani në fund të janarit.

SHBA-ja e ka fajësuar Rezistencën Islamike në Irak, një koalicion i gjerë i milicive të mbështetura nga Irani, për sulmin në Jordani.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, si dhe liderët e tjerë të lartë amerikanë, kanë paralajmëruar vazhdimisht se SHBA-ja do të vazhdojë të hakmerret kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin në Jordani.

Ata kanë lënë të kuptohet se liderët kryesorë të milicive me gjasë janë caku kryesor.

Gati 170 sulme janë kryer kundër forcave amerikane në Irak dhe në Siri prej 18 tetorit, por sulmi më i fundit në Jordani – i vetmi në këtë vend deri tani – ishte i pari që ua mori jetën trupave amerikane.

Kataib Hezbollah kishte thënë në një komunikatë pas sulmit të janarit se do t’i ndalte sulmet ndaj trupave amerikane për ta shmangur “turpërimin e Qeverisë irakiane”, por micilitë e tjera i kanë vazhduar sulmet./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme