Presidenti Joe Biden pritet të nënshkruajë një urdhër të dytë ekzekutiv të mërkurën që i kërkon departamentit të shëndetësisë të shqyrtojë mundësinë e përdorimit të fondeve të programit të sigurimeve Medicaid për pacientët që udhëtojnë jashtë shtetit të tyre për aborte.
Urdhri, ashtu si ai i nënshkruar në korrik, që ka për qëllim të zbusë efektin e vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë për t’i dhënë fund të drejtës kushtetuese mbarëkombëtare për abortin, pritet të ketë ndikim të kufizuar, pasi republikanët në shtetet ku drejtojnë, miratuan një valë ligjesh që kufizojnë abortin, qasjen në mjekim dhe financimin për shërbime të tilla.
Veprimet e presidentit vijnë një ditë pasi votuesit e Kansasit refuzuan një përpjekje të tillë, për të hequr mbrojtjen e abortit nga kushtetuta e shtetit. Votimi ishte një fitore e jashtëzakonshme për lëvizjen për të drejtat e abortit në provën e parë elektorale mbarëkombëtare që nga vendimi i Gjykatës së Lartë.
Muajin e kaluar, presidenti Biden tha se Gjykata e Lartë, e cila ka 6 gjyqtarë konservatorë, ishte “jashtë kontrollit” pasi vendosi në qershor për të rrëzuar vendimin Roe kundër Wade, duke i dhënë fund mbrojtjes një gjysmë shekulli për të drejtat riprodhuese të grave. Urdhri i tij i parë në fillim të korrikut udhëzoi departamentin e shëndetësisë të qeverisë federale që të zgjerojë qasjen ndaj abortit me ilaçe dhe të sigurojë që gratë që udhëtojnë për aborte janë të mbrojtura.
Veprimi i fundit i fuqizon këto masa. Por, si i pari, mbetet e paqartë se si mund të arrihen ato qëllime. Ai i kërkon Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore të marrë në konsideratë përdorimin e fondeve duke përfshirë Medicaid, programin federal dhe shtetëror të sigurimeve, për të mbështetur gratë me të ardhura të ulëta që udhëtojnë jashtë shtetit të tyre për shërbime aborti, tha një zyrtar i lartë i administratës.
Ai i bën thirrje Sekretarit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Xavier Becerra, të marrë në konsideratë ftesën e shteteve për të aplikuar për të anashkaluar plotësimin e kërkesave nga Medicaid kur trajtojnë pacientët që kalojnë kufijtë shtetërorë për shërbimet e shëndetit riprodhues, tha zyrtari, pa dhënë detaje shtesë.
Amendamenti Hyde, një masë e Kongresit, thotë se programi Medicaid nuk duhet të paguajë për një abort nëse jeta e gruas nuk është në rrezik ose shtatzënia nuk ka ardhur nga përdhunimi ose inçesti, duke e bërë efektivitetin e urdhrit të pasigurt.
Ai gjithashtu udhëzon departamentin të sigurojë që ofruesit e kujdesit shëndetësor të respektojnë ligjet federale të mosdiskriminimit kur ofrojnë shërbime të tilla dhe e urdhëron atë të mbledhë të dhëna për të matur ndikimin e vendimit në shëndetin e nënës, shtoi zyrtari.
Presidenti do të nënshkruajë urdhrin në takimin e parë të task-forcës ndërinstitucionale për qasjen në kujdesin shëndetësor riprodhues, i cili u formua në korrik.
Demokratët e Senatit hodhën poshtë thirrjen e presidentit Biden për të hequr rregullin që kërkon që 60 nga 100 senatorët të bien dakord për legjislacionin për t’i lejuar ata të miratojnë një ligj që përcakton të drejtën kombëtare për abortin.
Në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, nënpresidentja e Kamala Harris mund të hedhë votën e 51-të për demokratët.
Presidenti Biden ka nxitur votuesit që të zgjedhin më shumë demokratë në Kongres në zgjedhjet afatmesme të 8 nëntorit, kur republikanët kanë shanse për të rifituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe në Senat.
Demokratët shpresojnë se çështja e abortit mund të ndihmojë në shtyrjen e votuesve drejt qendrave të votimit në nëntor.
Mbrojtja e të drejtave të abortit është një çështje kryesore për gratë demokrate, tregon sondazhi i agjencisë Reuters. Më shumë se 70% e amerikanëve mendojnë se çështja duhet t’i lihet një gruaje dhe mjekut të saj.
Të martën, Departamenti i Drejtësisë paditi shtetin Ajdaho për të bllokuar një ligj shtetëror për të cilin tha se vendos një “ndalim pothuajse absolut” për abortin, duke shënuar sfidën e tij të parë ligjore ndaj ligjeve shtetërore të abortit që nga vendimi i Gjykatës së Lartë./VoA/
Baerbock: Mbështetja e Kinës për Rusinë po ndikon në lidhjet...
Ndalohen dy persona, dyshohet se kërkuan 25 mijë euro ryshfe...
Arb Manaj “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Prokuroria tregon se hetimet për sulmin në Ibër Lepenc po va...
Pas fitores bindëse, Kosova pëson humbje në miqësoren e dytë...
KRU “Mitrovica”: Ka filluar trajtimi i ujit në impiantin në ...