UNICEF: Mbi 8 milionë fëmijë në Jemen të privuar nga uji i pastër

18:48 | 22 Nëntor 2018
Arbresh.info

Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) bëri të ditur se për shkak të luftës në Jemen 8,6 milionë fëmijë nuk kanë qasje në ujë të pastër, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e UNICEF-it në Jemen, në deklaratën e saj në Twitter shkroi se mbi 8 milionë fëmijë jemenas janë të privuar nga uji i pastër dhe shërbimet bazike higjienike.

Në deklaratë gjithashtu është theksuar e drejta për qasje në ujë të çdo fëmije.

“Duhet mbrojtur fëmijët jemenas që të mos preken nga sëmundja e kolerës për shkak të higjienës së pamjaftueshme dhe mungesës së ujit”, thuhet më tej.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 20 nëntor njoftoi se 80 për qind e fëmijëve në Jemen kanë nevojë për ndihma humanitare për shkak të luftës. Ndërsa UNICEF-i bëri të ditur se për shkak të sëmundjeve nga të cilat mund të mbrohen në Jemen në çdo 10 minuta vdes një fëmijë.

Jemeni është një nga shtetet më të varfra në botë, ndërsa për shkak të krizës humanitare në rritje të shkaktuar nga lufta civile, situata ka arritur në dimensione të tmerrshme. Vendi është skenë e një drame njerëzore të madhe çmimin e së cilës e paguajnë civilët si rezultat i urisë, kolerës, përleshjeve dhe sulmeve ajrore.

Gjatë luftës tre vjeçare në Jemen janë vrarë mijëra persona.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme