Google ADS

Ulet çmimi i naftës në bursa

22:40 | 20 Gusht 2024
A B

Rikthimi i shpresave për një armëpushim së shpejti në Rripin e Gazës bëri që bursat ndërkombëtare të naftës së papërpunuar të reagonin pozitivisht.

Çmimi për një fuçi nafte ra brenda 24 orëve me rreth 2 Dollarë. Këtë të martë, çmimet për kontratat e shitjes për Tetorin ranë deri në 77 Dollarë në bursën e Londrës dhe në 73.5 në atë të Teksasit.

Ndikimin e pati deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, i cili nga Tel Avivi, pas takimit me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu tha se Izraeli ishte gati të pranonte armëpushimin pasi kishte marrë garanci për lirimin e pengjeve.

Ky është një hap i madh drejt armëpushimit, ndonëse ka ende punë drejt zyrtarizimit pasi Hamasi nuk ka bërë asnjë reagim për thirrjen e Blinkenit që edhe organizata palestineze ta pranojë propozimin amerikan.

Hamasi ka qenë këmbëngulës në kushtin për tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës.

Arritja e një armëpushimi ul ndjeshëm tensionet në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme, nga një prej zonave më të rëndësishme për furnizimin e tregjeve botërore me lëndë për prodhimin e energjisë./tvklan/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme