Tensionet midis Britanisë dhe Francës në lidhje me të drejtat e peshkimit u ulën të enjten vonë pasi Britania tërhoqi dy luftanije nga ujërat përreth ishullit britanik të Xhersit, ku peshkatarët francezë kishin organizuar një protestë.
Rreth 20 peshkarexhe franceze lundruan drejt Xhersit të enjten herët, duke hedhur raketa ndriçuese dhe duke shfaqur parulla me thirrje për hyrje në ujërat e Xhersit. Peshkatarët francezë thanë se po u ndalohej hyrja në ujërat përreth territorit britanik që shtrihet deri afër bregdetit verior të Francës.
“Ne erdhëm sot për të protestuar sepse gjithmonë kemi peshkuar në këto ujëra dhe ata brenda natës na hoqën të gjitha të drejtat e peshkimit”, tha peshkatari francez Ludovic Lazaro për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.
Një anije franceze hyri për pak kohë në portin kryesor të ishullin e vetëqeverisur që është nën kontrollin e Britanisë.
Britania dislokoi dy luftanije në këtë zonë për të “monitoruar situatën”, ndërsa Franca dërgoi dy anije patrulluese në ujërat franceze përreth Xhersit. Anijet britanike dhe franceze ishin në një distancë prej rreth 20 kilometrash larg njërëra-tjetrës.
“Duke marrë parasysh se për momentin situata është zgjidhur, anijet e Patrullës Detare të Marinës Mbretërore do të përgatiten të kthehen në port në Britani”, thuhet në një deklaratë të Kryeministrit britanik Boris Johnson të lëshuar të enjten. “Ne mbetemi në gatishmëri për të ofruar çdo ndihmë të mëtejshme nëse ajo kërkohet nga Xhersi.”
Dimitri Rogoff, president i shoqatës së peshkimit në rajonin e Normandisë Franceze, tha se “demonstrimi i forcës ka mbaruar. Tani, politika duhet të udhëheqë përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.”
Pasojat e Brexit-it
Marrëveshja për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian përcakton dispozita të veçanta për zonat e peshkimit rreth ishullit, thotë eksperti britanik i peshkimit, James Kane nga Instituti për Qeverinë, një organizatë jo-fitimprurëse.
“Anijet franceze që po peshkonin në ujërat e Xhersit për të paktën 10 ditë në vit midis 2017 dhe 2020 kanë të drejtë të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen. Ajo që duket se ka ndodhur është se autoritetet e Xhersit kanë ndjekur një qasje shumë kufizuese për ata që duhet të japin prova se kanë peshkuar në tre vitet e fundit”, tha zoti Kane për Zërin e Amerikës.
Ian Gorst, Ministër për Marrëdhëniet me Jashtë i qeverisë së Xhersit, këmbëngul se ka një zbatim të duhur të rregullave në lidhje me peshkimin rreth ishullit.
“Marrëveshja e re e tregtisë e arritur pas Brexitit është e qartë se duhet të ofrohen prova mbi natyrën dhe historinë e të drejtave të peshkimit”, tha ai të ejten për kanalin Sky News.
Duke folur para ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare, Ministrja franceze për Çështjet Detare, Annick Girardin kërcënoi të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për Xhersin.
“Ne jemi gati të përdorim këto masa hakmarrëse. Evropa, Franca i ka mundësitë e parashikuara në marrëveshje. Pra, do të doja t’ua kujtoja, për shembull, se ne furnizojmë me energji elektrike Xhersin përmes kabllove të vendosura nën sipërfaqen e detit”, tha Ministrja franceze të martën.
Ministri britanik Nadhim Zahawi tha të enjten se qeveria britanike do të kërkonte gjetjen e një zgjidhje për këtë çështje.
“Do të punojmë së bashku për të zgjidhur çdo çështje, çdo problem në mënyrë që kjo marrëveshje historike midis Britanisë dhe BE-së, një nga marrëveshjet më të rëndësishme që kemi arritur, të jetë në funksion të njerëzve, komuniteteve, dhe komunitetit të peshkatarëve”, tha ai për kanalin Sky News.
Peshkimi përbën vetëm 1% të ekonomive britanike dhe evropiane. Por ai është një forcë e fuqishme kulturore dhe politike, thotë eksperti i peshkimit James Kane.
“Në ekonominë moderne, peshkatarët janë të vetmit njerëz që akoma merren me gjueti. Ata e gjejnë ushqimin dhe e sjellin në shtëpi. Kjo sjell një dimension primar tek peshkimi që ndoshta e bën atë pak të ndjeshëm. Përveç kësaj, pëshkimi është i rrënjosur thellë në komunitetet bregdetare. Njerëzit duket se kujdesen shumë për të në një shkallë që është jashtëzakonisht joproporcionale me rëndësinë e tij ekonomike. Pastaj edhe nga ana politike, është mjaft e dobishme që të dyja palët të trajtojnë këtë histori sepse ajo ka kaq shumë rezonancë”, thotë ai.
Analistët thonë se tensionet mbi peshkimin ka të ngjarë të vazhdojnë ndërsa Britania kërkon të përmbushë premtimin e saj për Brexitin, për të “rimarrë kontrollin” e kufijve të saj ujor dhe tokësor./VoA/
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...
Ish-koloneli për armatimin: Banjska qe e përgatitur, aksione...
“Fëmijët nën 16 vjeç pa rrjete sociale!” Australia, gati nda...